Dhuna nga kolonët izraelitë kundër civilëve palestinezë në Bregun Perëndimor vazhdon të përshkallëzohet, tregon një raport i publikuar të martën nga Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit i OKB-së.
Vitin e kaluar, kolonët vranë të paktën shtatë palestinezë dhe plagosën 832 të tjerë, që do të thotë se numri i viktimave është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2024, sipas raportit, i cili iu paraqit Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së.
Në korrik të vitit 2025, kolonët – të shoqëruar nga ushtarë izraelitë – sulmuan palestinezët ndërsa ata po punonin fushat e tyre. Një fermer u vra me një plumb në kokë dhe një tjetër u rrah për vdekje. “Ky trend vazhdon në vitin 2026 me sulme të kryera çdo ditë”, deklaroi OKB-ja.
Sipas raportit, autoritetet izraelite i mundësuan këto sulme përmes mbështetjes financiare dhe ushtarake. Agjencitë gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit të Izraelit, nga ana tjetër, kanë garantuar pandëshkueshmëri për dhunën e kolonëve për dekada të tëra.
OKB bën thirrje për presion më të fortë ndërkombëtar ndaj Izraelit
“Sulmet e pamëshirshme dhe të përditshme nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve janë të patolerueshme dhe duhet të marrin fund. Izraeli duhet të ndalojë së mbështeturi këtë dhunë dhe të sigurojë që forcat e tij të sigurisë të mbrojnë popullsinë civile palestineze”, tha Kryetari i Komisionit të OKB-së, Srinivasan Muralidhar.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet të ushtrojë presion të përbashkët mbi Izraelin që të përmbushë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar, dhe të ndërmarrë veprime të menjëhershme vendimtare për të çmontuar vendbanimet dhe postblloqet, si dhe për t’i dhënë fund dhunës së kolonëve një herë e përgjithmonë”, shtoi ai.
Izraeli rregullisht i hedh poshtë kritikat ndaj veprimeve të kolonëve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor si të pabaza.
Që nga masakra e paprecedentë e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023 dhe lufta që pasoi në Gaza, dhuna nga kolonët radikalë kundër palestinezëve dhe pronës së tyre është rritur ndjeshëm. Mediet izraelite ndonjëherë e quajnë këtë “terror hebre”.










