Roja i sigurisë së bankës së nivelit të dytë, OTP, pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, e cila u grabit një ditë më parë, është arrestuar nga policia. Ai akuzohet se nuk ka ndërhyrë për të neutralizuar autorin gjatë momentit të grabitjes, duke mos përmbushur detyrat e tij funksionale. Ndërkohë, hetimet po vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, i cili mbetet ende në arrati.
Sipas të dhënave paraprake, grabitësi ka hyrë i maskuar në ambientet e bankës dhe, nën kërcënimin e një arme që dyshohet të ketë qenë lodër, i ka marrë një klienteje çantën me para në momentin që ajo po përgatitej t’i depozitonte në arkë. Dyshimet se arma mund të ketë qenë false janë forcuar edhe nga fakti se detektori i sigurisë së bankës nuk ka sinjalizuar praninë e një arme zjarri. Klientja ka deklaruar në polici se në çantë ndodheshin rreth 10 mijë paund.
Pas grabitjes, autori është larguar me shpejtësi nga banka duke përdorur një skuter, ndërsa mbante në kokë një skafandër motori për të fshehur identitetin. Ai kishte mbërritur pranë bankës nga zona e Komunës së Parisit dhe, pasi mori shumën e parave, u largua në drejtim të rrugës “Sulejman Delvina”. Hetuesit dyshojnë se më pas ai ka braktisur skuterin në një garazh, ndërsa po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë për të gjurmuar lëvizjet e tij.










