Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se një fazë e re e fenomenit klimatik El Niño mund të nisë në javët e ardhshme dhe të intensifikohet gjatë vitit 2026, duke kontribuar në rritjen e mëtejshme të temperaturave globale në një periudhë kur planeti po përballet me pasojat e ndryshimeve klimatike.
Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), ekzistojnë sinjale që tregojnë se ky fenomen mund të shndërrohet në një nga episodet më të fuqishme të regjistruara deri më sot, me mundësinë që të arrijë nivelin e një “super El Niño”, duke shtuar rrezikun për ngjarje ekstreme atmosferike në shumë pjesë të botës.
Shkencëtarët po ndjekin nga afër ngrohjen e ujërave në Paqësorin qendror, ku të dhënat e fundit tregojnë një kalim nga temperatura nën mesataren drejt një ngrohjeje të konsiderueshme, një tregues karakteristik i zhvillimit të El Niño-s.
Ky fenomen krijohet kur ndryshimet në drejtimin e erërave favorizojnë përhapjen e masave të ujit të ngrohtë në Oqeanin Paqësor tropikal, duke ndikuar drejtpërdrejt në modelet klimatike globale.
Ekspertët nënvizojnë se masa të mëdha uji me temperatura shumë të larta, që në disa zona janë më shumë se 6 gradë Celsius mbi mesataren, po lëvizin në thellësitë e Paqësorit, duke krijuar kushte për forcimin e mëtejshëm të fenomenit gjatë muajve të ardhshëm.
“Jemi të bindur se po afrohet një ngjarje e madhe, madje mund të jetë rekord,” tha profesori Adam Scaife nga Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas specialistëve, El Niño konsiderohet i formuar kur temperaturat e sipërfaqes së detit qëndrojnë mbi 0.5 gradë Celsius më të larta se mesatarja për një periudhë të gjatë, ndërsa një rritje mbi 2 gradë klasifikohet si “super El Niño”. Që prej vitit 1950 janë regjistruar vetëm pak episode të këtij niveli.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka paralajmëruar se El Niño do të përforcojë efektet e ngrohjes globale, duke theksuar se pasojat e tij pritet të jenë më intensive dhe më të përhapura në shkallë botërore.
Një El Niño i fortë shoqërohet zakonisht me thatësira dhe temperatura të larta në Amerikën e Jugut, Azinë Juglindore dhe Australi, si edhe me rritje të rrezikut për zjarre pyjore. Ai mund të ndikojë gjithashtu në dobësimin e musoneve në Indi, të shkaktojë thatësira në Afrikën Lindore dhe të rrisë rrezikun e përmbytjeve në jug të Shteteve të Bashkuara.
Në Europë, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, ndikimi i fenomenit është më i kufizuar, por mund të shoqërohet me dimra më të butë në fazat e para dhe më të ftohtë në fund të sezonit.
Historikisht, El Niño është lidhur me rritje të çmimeve të produkteve ushqimore dhe humbje të konsiderueshme ekonomike në nivel global, për shkak të dëmeve që shkakton në bujqësi dhe në zinxhirët e furnizimit.
Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se parashikimi i ndikimit të saktë mbetet i vështirë, pasi zhvillimi i fenomenit varet në masë të madhe nga sjellja e erërave atmosferike, të cilat janë të vështira për t’u parashikuar në afat të gjatë.
Ekspertët paralajmërojnë se edhe në rast se El Niño nuk arrin intensitetin e një “super El Niño”, efektet e tij mund të jenë gjithsesi të konsiderueshme, pasi do të veprojë mbi një planet që tashmë është ngrohur ndjeshëm nga aktiviteti njerëzor.
Sipas projeksioneve aktuale, viti 2027 mund të renditet ndër vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë në historinë moderne.








