Një nga protestat më të mëdha qytetare të viteve të fundit u zhvillua mbrëmjen e sotme në Tiranë, ku mijëra qytetarë marshuan kundër projekteve të planifikuara turistike në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe Pishë Poro-Nartës.
Tubimi, i cili zgjati për më shumë se dy orë, nisi para Ministrisë së Brendshme dhe vijoi drejt Kryeministrisë, ndërsa protestuesit mbanin pankarta me sloganet “Shqipëria nuk shitet” dhe “Anuloni projektin”.
Për disa pjesëmarrës, atmosfera e protestës solli në kujtesë mobilizimin e madh qytetar të vitit 2013 kundër planit për depozitimin e lëndëve kimike siriane në Shqipëri. Ashtu si atëherë, organizatorët folën për një reagim që po kalon kufijtë e grupeve politike dhe po bashkon qytetarë, ambientalistë, artistë, studentë dhe banorë lokalë rreth një kauze të përbashkët.
Në qendër të debatit është projekti i resortit luksoz në zonën e Zvërnecit, i lidhur me struktura investimi ku përmendet edhe emri i Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Projekti ka shkaktuar polemika të forta për shkak të ndërhyrjeve të planifikuara në një nga ekosistemet më të ndjeshme të bregdetit shqiptar.
Organizata mjedisore shqiptare dhe ndërkombëtare kanë ngritur vazhdimisht shqetësime se zhvillimet e parashikuara mund të ndikojnë në habitatet e mbrojtura të lagunës së Nartës, korridoret e migrimit të shpendëve dhe biodiversitetin e zonës. Dhjetëra organizata nga vende të ndryshme i kanë kërkuar më herët qeverisë shqiptare pezullimin e projekteve në Sazan dhe Zvërnec deri në një vlerësim të plotë mjedisor.
Gjatë javëve të fundit janë raportuar punime paraprake në zonën e Pishë Poro-Nartës, ndërsa ambientalistët kanë publikuar pamje me mjete të rënda dhe ndërhyrje në terren. Sipas raportimeve investigative, projekti parashikon një kompleks turistik me kapacitet të madh akomodimi në afërsi të zonave të mbrojtura.
Në protestën e Tiranës, qytetarët akuzuan autoritetet se po favorizojnë interesa ekonomike private në kurriz të pasurive natyrore dhe hapësirave publike. Ata kërkuan transparencë të plotë mbi lejet, kontratat dhe ndikimin mjedisor të projektit.
Marshimi përfundoi para Kryeministrisë, ku protestuesit përsëritën kërkesën për anulimin e projektit dhe ndalimin e çdo ndërhyrjeje në zonat e mbrojtura.
Në fund të tubimit, organizatorët njoftuan se protesta do të vazhdojë edhe të hënën, më 1 qershor, në orën 18:00, duke bërë thirrje për pjesëmarrje edhe më të madhe.
“Vazhdojmë nesër, edhe më shumë”, ishte mesazhi që u përcoll nga organizatorët, ndërsa shumë pjesëmarrës e krahasuan mobilizimin aktual me protestat historike kundër armëve kimike, duke e cilësuar atë si një nga reagimet më të forta qytetare të viteve të fundit.
gijotina.com/








