Gjykata e Lartë ka zgjidhur mosmarrëveshjen e kompetencës mes Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, lidhur me një procedim penal ku i pandehur është Ervis Martinaj. Me vendimin e datës 10 mars 2026, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur që dosja nr. 417 e vitit 2022 të gjykohet nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe jo nga GJKKO.
Sipas dosjes, procedimi penal lidhet me një kontroll të policisë në maj të vitit 2022 në hotelin “Zeus Garden”, ku dyshohej se qëndronte Ervis Martinaj. Gjatë kontrollit janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë, municione, jelekë me mbishkrimin “Policia”, portofolë me stemë policie, maska, doreza antiplumb dhe pranga. Në këtë çështje janë marrë të pandehur edhe Armand Merlika, Ergys Merlika dhe Dea Pistolja, të akuzuar për “moskallëzim krimi”, ndërsa Martinaj për “mbajtje pa leje të armëve” dhe “mbajtje pa të drejtë të uniformës”.
Një element kyç i dosjes është ekspertiza e ADN-së, sipas së cilës materiali gjenetik i gjetur në disa prej sendeve të sekuestruara përputhet me profilin e Ervis Martinajt, i cili vijon të jetë i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022. Gjykata e Lartë thekson se në këtë fazë nuk ka akuzë për grup të strukturuar kriminal, ndaj kompetenca mbetet te gjykata e juridiksionit të përgjithshëm. Vendimi nuk lidhet me fajësinë apo pafajësinë e të pandehurve, por vetëm përcakton gjykatën që do të shqyrtojë çështjen në themel.









