Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka sulmuar ashpër kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë mesazhit të tij për Festën e Kurban Bajramit, që u mbajt jashtë Xhamisë së Madhe Çamlıca në Stamboll.
Në fjalën e tij, Erdogan u ndal te situata në Rripin e Gazës dhe Palestinë, duke e cilësuar atë si “një provë të veçantë” për botën myslimane dhe duke bërë thirrje për unitet mes vendeve islame.
“Zoti na dhëntë mundësinë të arrijmë edhe shumë festa të tjera me shëndet, begati dhe gëzim. Uniteti dhe solidariteti ynë qoftë i përjetshëm”, deklaroi presidenti turk pas faljes së namazit të Kurban Bajramit.
“Ajo që po ndodh në Palestinë dhe Gaza përbën për ne një qëndrim dhe një provë të veçantë. Besoj se ky tiran i quajtur Netanyahu do të marrë mësimin që meriton përballë myslimanëve të botës”, u shpreh Erdogan.
Ai shtoi se shpreson që reagimi i botës myslimane të jetë i shpejtë dhe sa më i bashkuar.
“Festa e Sakrificës le të bëhet një rast për unitetin e botës islame”, u shpreh Erdogan.








