Në një reagim në rrjetet sociale, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho u shpreh se situata në qendrën e konsultave në QSUT mbetet problematike dhe kërkon zgjidhje të menjëhershme nga autoritetet.
Ajo theksoi se qytetarët e sëmurë detyrohen të presin për orë të tëra në kushte të papërshtatshme, pa ujë dhe në ambiente të pamjaftueshme, duke përballuar vështirësi të mëdha sidomos gjatë temperaturave të larta.
Xhixho ngriti shqetësimin edhe për mungesën e standardeve të pritjes, duke e krahasuar situatën me institucionet ‘moderne’ si portet dhe aeroportet.
Sipas saj, kjo gjendje rëndon si pacientët, ashtu edhe mjekët që punojnë nën presion dhe në kushte jo optimale, ndërsa theksoi se vonesa në ndërhyrje vetëm sa shton vuajtjen e qytetarëve.
Postimi:
Sot jam në qendrën e konsultave në QSUT dhe siç e shihni kushtet janë të papërshtatshme.
Si mundet një qytetar i sëmurë të presë me orë të tëra në këto kushte, në stola, pa ujë dhe imagjinoni është verë, temperaturat po rriten, po në të ftohtë si do të presin këta pacientë, të moshuar, qytetarë me ankthin e sëmundjes për t’u diagnostikuar.
Nga ana tjetër ne kemi parë porte dhe aeroporte të cilat ofrojnë kushte pritjeje moderne, por realiteti këtu është totalisht ndryshe. Mjekët gjithashtu, të cilët punojnë me orë të zgjatura nën presionin e punës dhe në kushte që nuk i ndihmojnë.
Sot janë këta qytetarë, por nesër mund të trokase tek secili nga ne.
Kjo situatë kërkon një përgjigje të menjëhershme dhe zgjidhje konkrete për kushtet me të cilat përballen pacientët dhe të sëmurët çdo ditë në qendrën e konsultave këtu në QSUT.
Çdo ditë që vonon, çdo orë që vonon, me qindra pacientë të cilëve sëmundja patjetër që u rëndohet, shtohet edhe vuajtja e këtyre kushteve të papërshtatshme.










