Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Emiljano Shullazit dhe grupit të tij, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO, të vitit 2021 me 55 vite burg në total për pesë të akuzuarit. Konkretisht bëhet fjalë për dosjen ku Shullazi dhe anëtarët e grupit të tij ishin shpallur fajtor për gjobëvënie dhe grup të strukturuar kriminal.
Shullazi u dënua me 14 vite burg, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me nga 10 vite burg dhe Blerim Shullazi 9 vite burg. Për Gilmando Danin i cili ishte dënuar me 12 vite burg, Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit pasi ai ka vdekur. Dani ashtu si gjithë të akuzuarit e tjerë përveç Emiljano Shullazit, ishte liruar dhe u ekzekutua në një atentat mafioz nëntorin e vitit 2025 në rrethrrotullimin e Rinasit bashkë me mikun e tij, agjentin e AMP, Mustafa Sheqeri.
Grupi ‘Shullazi’ u dënua fillimisht më 13 nëntor 2018, me 55 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Shullazi ishte dënuar për gjobëvënie ndaj dy biznesmenëve, Ylvi Beqja në të famshmen çështje të “Hotel Vollgës” dhe Jani Zakos, me 14 vite burg. Në vendimin e Gjykatës theksohej se askush nga të dënuarit nuk do të përfitojë liri me kusht. Po ashtu ndaj grupit u rrëzuan dy akuzat e tjera, shkatërrim prone me eksploziv dhe kanosje ndaj dy pedagogëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule. Seancat ndaj Emiljano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë janë ndjekur në mënyrë të vazhdueshme edhe nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë për shkak të ndjeshmërisë së çështjeve.
Dënimet e dhëna nga Gjykata për grupin “Shullazi”:
Emiljano Shullazi – 14 vite burg
Gilmando Dani – 12 vite burg
Endrit Qyja – 10 vite burg
Endri Zela – 10 vite burg
Blerim Shullazi – 9 vite burg










