SPAK ka urdhëruar bllokimin e pasurive të luajtshme e të paluajtshme të familjarëve e bashkëpunëtorëve të Igli Kamberit dhe Ergys Kastratit. Kamberi dhe Kastrati u arrestuan më herët si kryesorët e grupit kriminal të goditur nga SPAK dhe Antimafia e Barit, me veprimtari në fushën e pastrimit të parave, të cilat dyshohet se e kanë burimin nga trafiku i drogës dhe dërgoheshin nga Italia në Shqipëri.
Bëhet fjalë për 8 makina, 10 llogari bankare, 4 kompani dhe 680,595 euro cash, të sekuestruara në Muriqan në vitin 2024, teksa Lefter Nelaj po i sillte me makinë nga Mali i Zi. Veç biznesit të kateringut të vetë Kamberit në Kashar, masa e sekuestros prek edhe dy llogari bankare të bashkëshortes, Nevila Kamberi dhe vjehrrës Dituri Buzi, si dhe biznesin bujqësor të vjehrrit të tij, Fatos Buzi.
Një prej personave të arrestuar nga operacioni sot është dhe Ergys Kastrati e bashkëshortja e tij Desmira Cecos. SPAK ka urdhëruar që Cecos t’i sekuestrohen dy llogari bankare. Pasuri të shumta është urdhëruar t’i sekuestrohen dhe Bardhok Gjergjit, të cilit mbetet ende e paqartë lidhja e tij me grupin.
Gjergjit i pritet t’i bllokohet veprimtaria e biznesit ‘AUTO REND & SELL-ALBANIA sh.p.k., për dhënie me qira automjetesh, shit-blerje, import e eksport. 5 automjete luksoze e 1 llogari bankare. Listës së sekuestrimeve i shtohen edhe tre emra të tjerë, Saimir Pirra, Sokol Fusha dhe Edi Brahaj. Me dyshimin se kanë përfituar nga aktiviteti kriminal i grupit, atyre pritet t’u bllokohen makinat dhe llogaritë bankare.










