Me sezonin futbollistik që po shkon drejt fundit dhe grumbullimet e Kombëtareve që nisin javën e ardhshme, legjionarët shqiptarë vijojnë të japin kontribut të rëndësishëm me skuadrat e tyre në kampionatet europiane.
Ernest Muçi ishte një nga protagonistët kryesorë të javës në futbollin turk. Sulmuesi kuqezi fitoi Kupën e Turqisë me Trabzonsporin, pasi skuadra e tij triumfoi 2-1 ndaj Konyasporit në finale. Muçi u aktivizua si titullar dhe dha një kontribut të rëndësishëm gjatë gjithë takimit, duke qenë një nga lojtarët më të spikatur në suksesin e Trabzonsporit.
Paraqitje shumë të rëndësishme regjistroi edhe Ylber Ramadani në Itali. Mesfushori shqiptar ishte titullar në fitoren 1-0 të Lecces ndaj Genoas, një sukses që i siguroi skuadrës së tij qëndrimin në Serinë A edhe për sezonin e ardhshëm. Ramadani zhvilloi një tjetër ndeshje solide në mesin e fushës, duke kontribuar në një fitore me peshë për ekipin italian.
Minuta si titullarë me skuadrat e tyre gjatë kësaj fundjave morën gjithashtu Ivan Balliu, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Bujar Pllana, Mario Mitaj, Juljan Shehu dhe Adrion Pajaziti.










