Sot, më 23 maj, është ndarë nga jeta aktori i mirënjohur i kinematografisë shqiptare, Birçe Hasko, një nga figurat më të dashura dhe më të vlerësuara të skenës dhe ekranit shqiptar.
Lajmi i trishtë është bërë publik nga aktori Mevlan Shanaj.
“Ka ikur Birçe Hasko. Ka ikur aktori që la pas një emër të nderuar, një emër të madh në kinematografinë shqiptare. Iku labi Birçe Hasko. Ka ikur njeriu që i dha emrin konkretësi mjeshtrisë së interpretimit. Ka ikur ai që humorin dhe rreptësinë i kishte pronë të karakterit. Lamtumirë mik bashkëpunëtor”, shkruan Shanaj në rrjetet sociale.
Birçe Hasko ishte i njohur për interpretimet e tij të veçanta, përmes të cilave solli me mjeshtëri karakterin popullor të jugut, duke mbetur i paharruar për publikun shqiptar.
Ai lindi në Dukat të Vlorës, më 15 mars 1942, dhe fillimisht u formua si mësues, përpara se t’i përkushtohej artit. Më vonë studioi për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, ku më pas ushtroi edhe profesionin e pedagogut, duke dhënë mësim për mjeshtërinë e interpretimit dhe duke edukuar breza të rinj artistësh.
Gjatë karrierës së tij artistike interpretoi dhjetëra role në teatër dhe film, duke spikatur për aftësinë për të sjellë me realizëm, natyrshmëri dhe humor figura të jetës së përditshme shqiptare. Ai u bë pjesë e disa prej filmave më të njohur shqiptarë të viteve 1970-1990 dhe më pas.
Shpesh ai cilësohej si një “mjeshtër i karaktereve”, pasi edhe në role dytësore arrinte të linte mbresa të forta tek publiku.
Për kontributin e tij në artin shqiptar, Birçe Hasko është nderuar me tituj artistikë shtetërorë dhe konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë shqiptare.










