Situata e medias në Shqipëri, kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve, pavarësia editoriale dhe politike e mediave, si dhe roli i medias publike në luftën kundër dezinformimit, ishin ndër temat kryesore të diskutimit në takimin mes kryetares së Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, njëkohësisht deputete e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, dhe Ambasadorit Jan Braathu, përfaqësues i OSBE-së për Lirinë e Medias, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri.
Gjatë bisedës, Tabaku u shpreh se vendi ndodhet në një moment delikat për lirinë e medias, duke theksuar se besimi i qytetarëve ndaj mediave dhe gazetarëve po zbehet për shkak të presioneve, mungesës së transparencës dhe ndikimit politik.
Ajo foli gjithashtu për angazhimin e saj lidhur me ligjin e ri për median dhe AMA-n, si dhe për reformimin e bordeve të RTSH-së dhe AMA-s në bashkëpunim me Këshillin e Europës. Tabaku ndaloi edhe te iniciativa për heqjen e shpifjes nga Kodi Penal, duke theksuar se propozimet e saj nuk u mbështetën nga mazhoranca.
“Ligjet nuk mund të shkruhen vetëm për t’u rrëzuar politikisht. Liria e medias nuk është formalitet burokratik, por kusht themelor për demokracinë,” mësohet të jetë shprehur Tabaku.
Në takim u diskutua edhe puna për hartimin e ligjeve kundër padive SLAPP, të cilat synohet të përfundojnë deri në fund të vitit dhe konsiderohen një mekanizëm i rëndësishëm për mbrojtjen e gazetarëve nga paditë abuzive.
Tabaku kritikoi gjithashtu qeverinë për mënyrën se si, sipas saj, përdor procesin e integrimit europian për të miratuar ligje me procedura të përshpejtuara dhe pa debat të mirëfilltë publik.
Ajo theksoi se Shqipëria ndodhet sot në një situatë më të vështirë krahasuar me disa vite më parë dhe se çështjet që lidhen me median, lirinë e shprehjes dhe të drejtat themelore nuk duhet të mbeten vetëm në nivel deklarativ.
“Ky proces duhet të jetë real, i prekshëm dhe i ndërtuar mbi standarde europiane. Jo një proces burokratik i mbajtur peng nga qeveria,” tha Tabaku.








