Ish-kryenegociatori i Shqipërisë për Bashkimin Europian, Zef Mazi, ishte në një lidhje direkte për Ora News, ku foli për vonesën e raportit të zgjerimit dhe debatet që po zhvillohen brenda vendeve anëtare të BE-së për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit.
Sipas Mazit, fakti që raporti kaloi dy muaj nga drafti i parë deri në miratim tregon qartë se brenda unionit ka pasur ndarje dhe rezerva për disa çështje që lidhen me Shqipërinë.
“Ka shtete që kanë qenë në favor të miratimit sa më parë, por ka edhe shtete të tjera që kanë bërë shumë pyetje dhe kanë kërkuar sqarime të veçanta nga komisionerja.”-tha ai.
Ai tha se shumë vende anëtare po e shohin progresin e Shqipërisë nga interesat dhe këndvështrimet e tyre kombëtare, duke sjellë mungesë qëndrimi të unifikuar për disa reforma kyçe.
Në analizën e tij, drejtësia dhe gjyqësori mbeten ndër temat më sensitive për Bashkimin Europian, ndërsa edhe zhvillimet politike po ndiqen me vëmendje të lartë nga kryeqytetet europiane.
Mazi u ndal edhe te çështja “Beleri”, për të cilën tha se është diskutuar me tone të forta nga disa shtete anëtare dhe vazhdon të mbetet një çështje e hapur në raportet mes Shqipërisë dhe BE-së.
“Ka pasur shtete që kanë pasur mendimin se nëse integrimi vazhdon të mos ecë me hapat e duhura, procesi mund të arrijë në një kryqëzim strategjik kredibiliteti.”-u shpreh Mazi.
Sipas ish-kryenegociatorit, kjo situatë po ngre pikëpyetje edhe për vetë besueshmërinë e Bashkimit Europian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, në një moment kur procesi i zgjerimit konsiderohet vendimtar për të ardhmen e rajonit.
gijotina.com/









