Si po zhvillohet turizmi në fshatrat e Luginës së Nikaj-Mërturit, vendi midis dy lumenjëve që nuk shterrojnë kurrë.
Bjeshkët e Salcës, Shtërziqja e Brisës, Logu i Gurrës, Okoli i Palçit, Listrami i Btoshës, T’herme, Rruku i Nikajve e të tjera vende, janë kthyer në destinacion shumë i pëlqyer për turistët gjermanë. Janë tri fshatra në krahinën e Nikaj-Mërturit, Salcë, Palç e Btoshë, ndër shumë të tjera të kësaj krahine që dita-ditës po kthehen në vënde të prefereuara për turistë vendas e të huaj. Krahina e Nikaj-Mërturit, ka një numër shumë të madh pikash turistike, ndër të cilat e më kryesorja është ajo e Currajve të Epërm.
Lugina e Nikaj-Mërturit përshkohet nga dy lumenj që nuk shterrojnë asnjë herë. Këta lumenj janë: Lumi i Nikajve dhe lumi i Mërturit. Lumi i Nikajve e ka burimin e tij nga lugina e Ndërmanjës (Lumi i Zi) ose Bjeshkët e Gjonpepajve e të Kapitit dhe kalon midis shpatit të Currajve e fshatrave Kapit, Gjonpepaj e Lekbibaj dhe në vazhdim bashkohet me lumin e Mërturit në jug-perëndim të fshatit Curraj i Poshtëm. Lumi i Mërturit e ka burimin e tij në Curraj të Epërm, ndjek rrjedhjen e tij midis Malit të Theposur, afër lagjes Mulaj, ndanë Shën Gjergjin nga Curraj i Poshtëm dhe poshtë këtij fshati bashkohet me lumin e Nikajve dhe të dy së bashku vazhdojnë rrjedhjen e tyre midis fshatit Raje e Tetaj dhe derdhen në lumin Drini.
Infrastruktura rrugore e ka penguar e vazhdon ta pengojë zhvillimin e turizmit në këto vende. Vështirësitë në infrastrukturë nuk e kanë penguar nëj grup turistësh e gazetarësh gjermanë, për të shkuar deri në fshatin Brisë, njëri prej vendeve me terrenin më të thyer në luginën e Nikaj-Mërturit. Bashkë me mikpritjen karakteristike për zonën e Nikaj-Mërturit, turistët gjermanë janë magjepsur me trashëgiminë kulturore që ka kjo zonë. Janë kullat, të parat me të cilat mahniten turistët.
Kulla e Thepit (Ngujimit), në fshatin e bukur të Curraj Epër; Kulla në Sukullar, në Qeresh; Kulla e Ukshin Brahimit, në Mulaj; Kulla mbi 300 vjeçare e Kurtesh Kurtit, në fshatin Lekbibaj; Kulla e Deli Tahirit, në Salcë; Kulla e Qëndresës, në Brisë.
Kulla e Deli Tahirit, është bash në mes të rrugës, nga fshati Salcë drejt Brisës. Është një kullë që mban shumë histori, traditë e mikpritjeje, kuvendesh e mbledhjesh, luftrash me trima e trimëresha. “Trim si Deli Tahiri”, thuhej dikur në Malësinë e Veriut. Pjesëmarrës në disa luftra ndaj turkut e serbo-malazezëve, njëri nga organizatorët dhe drejtuesit kryesor në luftën e 1910 kundër forcave të Dërgut Pashës.
Në odën e burrave të kësaj kulle, turistët dëgjuan historinë e krahinës së Nikaj-Mërturit, e rrëfyer nga më të moshuarit e kësaj zone. Kullat dhe çdo gjë tjetër në atë krahinë janë lënë pas dore, ndërkohë që fondacione gjermane kanë nisur investimet për ta kthyer atë zonë në një destinacion shumë të rëndësishëm për turistët shqiptarë dhe të huaj. Ky ishte misioni i këtij grupi gjermanë, i cili vizitoi pak javë më parë Nikaj-Mërturin. Ja fotografitë, përmes të cilave ata e përcjellin aventurën e tyre në Nikaj-Mërtur.
Një pemë si një zemër, në afërsi të maleve në Nikaj-Mërtur…
Përjetuam mikpritjen e fshatit malor…
Një mënyrë për të arritur në fshat, është 500 lekë ardhja nga brigjet e liqenit
Traget unik pasagjerësh.”Dragobia” sjell alpinistët në pikën e ngritjes.
Një udhëtim me traget nëpër liqen konsiderohet nga Trecher Guide si një nga përvojat më të mira të udhëtimit në Shqipëri.
Për transportin e pasagjerëve është autobusi SETRA..
Drejt bukurive mahnitëse natyrore në të majtë të Digës së Ulzës.
Pika e ankorimit në Liqenin e Fierzës.