Diego Pablo Simeone ka konfirmuar se do të vazhdojë të mbetet trajner i Atletico Madridit edhe për sezonin e ardhshëm, duke i dhënë fund çdo dyshimi për të ardhmen e tij në stol.
Pas ndeshjes së kampionatit ndaj Gironas, e cila u shoqërua me atmosferën e lamtumirës së Antoine Griezmann, trajneri argjentinas u shpreh qartë: “Po, do të qëndroj”.
“Kanë kaluar tashmë 15 vite dhe edhe ne po fillojmë të plakemi,” tha Simeone, duke reflektuar mbi rrugëtimin e tij të gjatë në klubin madrilen. “Ndonjëherë pyes veten nëse ia vlen të vazhdoj, dhe përfundimi është se po, ia vlen, sepse ka shumë njerëz që ndajnë të njëjtin objektiv, shumë njerëz jetët dhe ëndrrat e të cilëve janë ndryshuar falë Atletico Madridit.”
Simeone vlerësoi gjithashtu mënyrën se si klubi po trajton largimet e lojtarëve dhe figurave të rëndësishme, duke përmendur rastin e Griezmann: “Ka një klub që kujdeset për lojtarët e tij, që dëshiron t’u japë një lamtumirë të denjë. Dhe ka edhe shumë gjëra të tjera që e bëjnë këtë projekt të veçantë.”
Me këtë deklaratë, Simeone konfirmon vazhdimësinë e një epoke të gjatë tek Atletico, ku ai mbetet një nga figurat më të rëndësishme në historinë moderne të klubit.










