Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi një ditë më parë, rikthimin në burg të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Apeli i GJKKO-së la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin me 2 vite burg, me gjykim të shkurtuar, për shpërdorim detyre ndaj Kokës, por ndryshoi pikën për shuarjen e masës “arrest në burg”.
Sipas përllogaritjeve, Kokës i kanë mbetur edhe 6 muaj për të vuajtur nga dënimi, por vendimi i dhënë nga Apeli nuk është ekzekutuar, pasi sipas raportimeve, Lefter Koka prej muajsh ndodhet jashtë vendit.
Arrestimi dhe dënimi i Lefter Kokës
Lefter Koka u arrestua në 14 dhjetor të vitit 2021, në kuadër të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për aferën e inceneratorit të Elbasanit. Më tej, ndaj tij u caktuan masa sigurimi “arrest me burg” edhe për “inceneratorin e Fierit” dhe “inceneratorin e Tiranës”.
Ndaj tij u zhvilluan tre procese gjyqësore paralele, të cilat nuk u bashkuan kurrë, megjithëse kishin dinamikë, zhvillim dhe personazhe thuajse të njëjtë.
Në shtator të vitit 2023, Koka u dënua me 6 vjet e 8 muaj burgim edhe për “inceneratorin e Fierit”. Ky rast ëshë ende në shqyrtim, pasi Gjykata e Lartë e ka rikthyer në Apelin e Posaçëm.
Në nëntor 2024, Lefter Koka u dënua nga Apeli i Posaçëm për aferën e inceneratorit të Elbasanit, me 10 vjet burgim. Për shkak të procedurës me gjykim të shkurtuar, ai u dënua me 6 vjet e 8 muaj.
Për “inceneratorin e Tiranës, Koka u dënua me 3 vjet e 4 muaj në Prill të vitit 2025. Edhe ky proces u zhvillua me gjykim të shkurtuar dhe Lefter Koka u dënua përfundimisht me 2 vjet burgim. Në të njëjtën seancë, Gjykata e Posaçme shpalli se Koka e ka shlyer këtë dënim me periudhën e paraburgimit. Ky rast është në shqyrtim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.
Në mënyrë të përmbledhur, përgjatë katër viteve të fundit mbi Lefter Kokën kanë rënduar tre dënime dhe tre masa sigurimi “arrest në burg”.










