Dinamo ia doli që të triumfonte me shifrat 3-2 përballë Egnatias mbrëmjen e djeshme, në finalen e Kupës së Shqipërisë. Kështu, “Nëndetësja” arriti që të korrte këtë trofe prestigjioz për herë të 15-të në historinë e klubit.
Mirëpo, një natë tejet e veçantë ishte edhe për trajnerin Ilir Daja. Ky i fundit bëhet trajneri shqiptar me më shumë trofe, duke parakaluar Mirel Josën. Deri në prag të finales Dinamo-Egnatia, Josa dhe Daja ishin në balotazh, me nga 12 trofe të fituar secili si trajnerë.
Megjithatë, ajo fitore mes spektaklit të 5 golave mbrëmjen e djeshme, përveç se i dha Ilir Dajës kënaqësi ekipore për suksesin e Dinamos, e “kurorëzoi” atë dhe si mbret të trajnerëve. Kështu, Daja parakalon një emër të madh të trajnimit në Shqipëri, si profesor Josa.
Kujtojmë që Ilir Daja trofeun e parë e ka fituar me KF Elbasanin, titullin kampion në sezonin 2005/2006. Më tej, 59-vjeçari ka fituar 2 trofe me Skënderbeun, 4 me Dinamon dhe 6 të tjera me skuadrën e Ballkanit, ekipit nga Theranda që militon në Superligën e Kosovës.










