Një mega tender me vlerë prej 15 milion e 716 mijë euro është hapur nga Ergys Verdho, drejtori i Hekurudhave Shqiptare, i cili synon të ndërtojë një trashe hekurudhore me një gjatësi 4 kilometra që shtrihet nga zona e Terminalit të Transportit Publik deri tek Stacioni i Trenit.
Tenderi është hapur si faza e fundit e zgjatimit të linjës hekurudhore Durrës-Tiranë, duke parashikuar dhe ndërtimin e terminalit të kryeqytetit që do jetë tek Bulevardi i Ri.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se ky mega tender është hapur ditën e djeshme në 11 Maj dhe është parashikuar të mbyllet në 15 qershor 2026.
Brenda kësaj periudhe 1 mujore një Komision i Vlerësimit të Ofertave do të shqyrtojë zarfet e ofertave ekonomike që do paraqesin subjektet private shqiptare dhe të huaja.
Burimet pranë Drejtorisë së Hekurudhave, flasin për një skenar të paracaktimit të tenderit nga Ergys Verdho dhe zyrtarë të tjerë, duke bërë që gara publike të jetë një fasadë e kuruar mirë për sytë e publikut, por realisht tenderi është paracaktuar para se të hapej publikisht gara.
Duke ju referuar këtyre burimeve, deri në 5 mujorin e parë të vitit 2026, rezulton se ky është tenderi me vlerë më të madhe financiare që zhvillohet nga një institucion shtetëror dhe një gjë e tillë bëhet pikërisht nga një Shoqëri Aksionere siç është Hekurudha Shqiptare.
Teksa Hekurudha Shqiptare, ka hapur garën për këtë mega tender, gjatë kësaj kohe Prokuroria e Posaçme SPAK, duhet të jetë më vigjilente për të monitoruar këtë procedurë të tej fryrë financiare me qëllim parandalimin e çdo veprimtari kriminale mes subjekteve private dhe zyrtarëve të Hekurudhës Shqiptare.
Në këtë rast jemi në fazën fillestare të hapjes së procedurës tenderuese dhe nuk mund të japim detaje se kush nga subjektet private kanë marë pjesë dhe cilat janë ofertat ekonomike të tyre.
Ndërkohë paralelisht me këtë mega tender, Hekurudha Shqiptare që drejtohet nga Ergys Verdho, ka nisur një tjetër procedurë tenderuese me vlerë prej 916 milion lekë të vjetra.
Qëllimi i këtij tenderi është hartimi i projektit të detajuar inxhinierik dhe arkitektonik dhe ndërtimi i godinës së stacionit hekurudhor të aeroportit të Rinasit.












