Tensionohet situata në protestën që po mbahet në Tiranë, ku raportohen përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë. Të paktën dy efektivë policie kanë mbetur të lënduar si pasojë e përleshjeve. Një prej efektivëve është parë duke u larguar nga vendi i ngjarjes i ndihmuar nga kolegët e tij.
Ai shfaqte dhimbje në zonën e barkut, dëmtim që dyshohet se ka ardhur si pasojë e goditjes me sende të forta të hedhura nga protestuesit. Efektivi i lënduar pritet të transportohet drejt spitalit ushtarak për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Gjatë protestës janë dëgjuar shpërthime, teksa protestuesit kanë hedhur koktejle Molotov në drejtim të kordonit të policisë. Si pasojë e tyre, në bulevard janë shkaktuar zjarre, të cilat forcat e rendit janë përpjekur t’i shuajnë me fikëse zjarri dhe ujë.
Në rrugë vërehen sende të shumta, përfshirë gurë të shkulur nga trotuaret, të cilët janë përdorur si objekte kundër policisë, duke e përshkallëzuar më tej situatën e tensionuar.
ORGANIZIMI I PROTESTËS
Pak para orës 19:00, kreu i PD-së, Sali Berisha, mbërriti në selinë blu, ku u prit nga mbështetësit demokratë.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, këtë herë organizatorët kanë vendosur që të mos ketë podium apo fjalime politike, por vetëm marshim të protestuesve në rrugët e kryeqytetit.
Ndërkohë, Policia e Tiranës ka marrë masa të shtuara sigurie për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e tubimit, duke bllokuar disa akse kryesore pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Më herët gjatë ditës, Berisha deklaroi se protestat janë “zëri më i fuqishëm i shqiptarëve dinjitozë”, ndërsa paralajmëroi se “vala e opozitës nuk do të ndalet”.
Po ashtu, Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes gjatë zhvillimit të protestës, duke paralajmëruar se situata mund të ndryshojë me shpejtësi.
gijotina.com/










