Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha denoncoi sot censurën e medias ndaj raportit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, sipas tij me urdhër të qeverisë Rama.
Në një konferencë për median, Berisha tha se raporti më i rëndësishëm i vitit për Shqipërinë është mbajtur jashtë vëmendjes publike dhe nuk i është dhënë hapësira e plotë në debatin politik.
Sipas tij, ky qëndrim do t’u fshehë qytetarëve shqiptarë ato të vërteta që janë jetike, që shqetësojnë sot Parlamentin Europian.
“Së pari, denoncoj censurën thuajse të plotë, të urdhëruar nga qeveria të raportit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, raporti më i rëndësishëm i vitit për Shqipërinë.
Raport, i cili u miratua pas diskutimeve të gjera bazuar në faktet, dokumentet, informacionet që ky Komision disponon nga burime të shumta, por kësaj radhe bazuar në faktet, dokumentet, opinionet e mbledhura nga misioni faktmbledhës i këtij Komisioni, që vizitoi Shqipërinë dy muaj më parë.
Ky qëndrim, kjo censurë e urdhëruar nga zyra e kryeministrit, vjen në kundërshtim flagrant me interesat e vërteta, themelore dhe kryesore të qytetarëve shqiptarë.
Ky qëndrim do t’u fshehë qytetarëve shqiptarë ato të vërteta që janë jetike, që shqetësojnë sot Parlamentin Europian, shqetësojnë vendet anëtare.
Zhvillimet dhe shkarjet demokratike në Shqipëri.
Tejet e rëndë, gjatë seancës parlamentare ku deputetët e opozitës në të gjitha diskutimet e tyre trajtuan raportin, sinjalet në media u fikën si me një çelës të përbashkët dhe ato diskutime nuk u transmetuan gjerësisht si të tjerat.
Mbrëmë, në studiot televizive, u fol për çdo gjë tjetër por jo për raportin, i cili trajton çështjet më themelore të shtetit ligjor, të demokracisë, të krimit të organizuar, të drogës dhe larjes së parave, të parlamentit të bllokuar, të farsës zgjedhore, të klientelës së investimeve publike, të korrupsionit që rrok qiellin, të qëndrimeve të Edi Ramës ndaj mandatit të Lubi Ballukut, të qëndrimeve të Edi Ramës ndaj parlamentit dhe refuzimit të tij të të gjitha nismave të opozitës në parlament, të bllokimit të kontrollit parlamentar, të pronësimit nga qeveria në kundërshtim me çdo parim dhe ligj të procesit të integrimit, të nismave që minojnë procesin e integrimit në BE si Ballkani i Hapur apo letra Rama-Vuçiç në kuadër të këtij Ballkani apo nismave të tjera.
Raporti është një dokument i jashtëzakonshëm, në të cilin konstatohet me dhimbje të madhe se gjysma e fëmijëve shqiptarë janë në rrezik varfërie dhe se qeveria nuk ka asnjë masë për fëmijët e përjashtuar, për fëmijët në mjerim.
Denoncohet indiferenca në politikat sociale ndaj të rinjve, fondet e ulëta në arsim.
Denoncohet mungesa e një politike të qartë strehimi social për të rinjtë, për studentët, për punësimin e tyre.
Kërkohet revokimi i menjëhershëm i amendamenteve të ligjit famëzi të investimeve strategjike. Kërkohet regjistri i plotë i këtyre investimeve.
Dënohet me forcë diskriminimi i minoritarëve në punësim dhe në qëllime të tjera.
Dënohet me forcën më të madhe ndërhyrjet brutale të Edi Ramës në sistemin e drejtësisë, në sistemin e prokurorisë.
Në çdo rresht të tij ku ka shkelje dhe mospajtime, janë tre emra famëzi, Edi Rama, Lubi Balluku, Niko Peleshi.
Dhe ajo që është më e papranueshme, heshtja mediatike.
Është renditja e medieve të kontrolluara nga qeveria në anën e qeverisë dhe në censurë, manipulim të opinionit publik.
Kjo është një çështje themelore. Lakrorit i kanë dalë petët”, theksoi Berisha.










