Shtetet e Bashkuara dhe Irani po i afrohen një marrëveshjeje mbi një memorandum një-faqësh për t’i dhënë fund luftës në Gjirin, tha një burim nga Pakistan, i përfshirë në përpjekjet e paqes dhe i njohur me negociatat.
Burimi pakistanez konfirmoi se raporti i mëparshëm i medias amerikane Axios mbi memorandumet e propozuara ishte i saktë. Raporti i Axios kishte cituar dy zyrtarë amerikanë dhe dy burime të tjera të njohura me diskutimet. “Do ta mbyllim këtë shumë shpejt. Po afrohemi,” tha burimi pakistanez.
Axios raportoi të mërkurën se Shtëpia e Bardhë besonte se ishte afër arritjes së një memorandumi një-faqësh për të dhënë fund luftës me Iranin, pasi presidenti amerikan Donald Trump ndaloi një mision detar tre-ditor për të ri-hapur Ngushticën e Hormuzit.
Raporti i Axios tha se SHBA-të prisnin përgjigje nga Irani mbi disa pika kyçe brenda 48 orëve të ardhshme. Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë nuk kanë reaguar menjëherë ndaj kërkesave për koment.
Sipas raportit, marrëveshja do të përfshinte angazhimin e Iranit për një moratorium mbi pasurimin bërthamor, dakordësinë e SHBA-ve për heqjen e sanksioneve dhe lirimin e miliarda dollarëve fonde të ngrira iraniane, si dhe heqjen e kufizimeve të tranzitit përmes Ngushticës së Hormuzit nga të dyja palët.
Memorandumi me 14 pika
Memorandumi një-faqësh me 14 pika po negociohej midis dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner dhe disa zyrtarëve iranianë, si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes ndërmjetësve, tha Axios.
Në formën e tij aktuale, memorandum do të shpallte fundin e luftës në rajon dhe fillimin e një periudhe 30-ditore negociatash për një marrëveshje të detajuar për hapjen e ngushticës, kufizimin e programit bërthamor të Iranit dhe heqjen e sanksioneve amerikane.
Kufizimet e Iranit mbi transportin detar në ngushticë dhe bllokada detare e SHBA-së ndaj Iranit do të hiqeshin gradualisht gjatë kësaj periudhe 30-ditore. Një zyrtar amerikan tha se në rast se negociatat dështonin, forcat amerikane do të kishin mundësi të rivendosnin bllokadën ose të rifillonin veprime ushtarake.
Më herët, Trump kishte njoftuar ndalimin e “Projektit Freedom”, një mision të shpallur të dielën për të udhëhequr anijet nëpër ngushticë. Misioni nuk arriti të rikthejë trafikun në mënyrë të ndjeshme, ndërsa shkaktoi një valë të re sulmesh iraniane mbi anijet dhe objektivat në vendet fqinje.
Sipas një incidenti të fundit, një kompani franceze transporti raportoi të mërkurën se një nga anijet e saj me kontejnerë ishte goditur në ngushticë ditën e mëparshme dhe ekuipazhi i plagosur ishte evakuuar.
Trump, duke njoftuar ndalimin e misionit, përmendi “progres të madh” në negociatat me Iranin, pa dhënë detaje të mëtejshme. “Ne kemi rënë dakord që, ndërsa bllokada do të mbetet në fuqi, Projekti Freedom (Lëvizja e Anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit) do të ndalet për një periudhë të shkurtër për të parë nëse marrëveshja mund të finalizohet dhe nënshkruhet,” shkroi Trump në rrjetet sociale.
Misioni detar u lançua pasi Trump tha se kishte të ngjarë të refuzonte propozimin e fundit iranian, i cili gjithashtu përmbante 14 pika. Propozimi iranian kërkonte shtyrjen e diskutimeve mbi çështjet bërthamore deri pas përfundimit të luftës dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve për transportin detar.
Gjatë një vizite në Kinë të mërkurën, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi nuk komentoi deklaratat e fundit të Trump, por tha se Teherani po kërkonte “një marrëveshje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse”.
Ai gjithashtu tha në një postim në rrjetet sociale se kishte biseduar me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite dhe kishte theksuar rëndësinë e diplomacisë mes shteteve rajonale për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.









