“Ferma e Mollëve” në Korcë do të ndërtohet nga biznesmeni Ferdi Marra nga Kucova. Kompania e tij “FLED” shpk është përfituese e tenderit, ku është favorizuar nga Dritan Agolli, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH). Dhe ja si i këput mollët Agolli për mikun e tij:
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përvec fituesit. Fituesi nuk është operatori me ofertë më të ulët”. Kjo procedurë e dyshimtë është shënuar Open Data Albania me “Flamur të kuq”, sinjal për riskun e korrupsionit.

Zyrtarisht tenderi ka si objekt “Mbështetjen për ngritjen e poleve të zhvillimit të integruar rural në partneritet me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe aktorë të tjerë lokalë dhe qendrorë: Ferma e dijes dhe agroturizmit të mollëve, Korçë- Faza 2.”.
Konkretisht, tenderi ka të bëjë me ngritjen e një kapanoni, apo magazine mollësh me panele dhe llamarina.
Ky projekt është llogaritur të kushtojë plot 786 milionë lekë pa TVSH.
Në procedurën e mbajtur më 24 mars 2026 në zyrat e FSZH morën pjesë 13 kompani, por paracaktimi i fituesit nuk lë hapësirë për konkurrencë.
Në hapin e parë skualifikohen ofertat që prishin rendin dhe më pas shpallet fituesi duke e vlerësuar me më shumë pikë. Komisioni ka hapësira subjektive vlerësimi me të cilat i jep më shumë pikë atij që është porosi e shefit.
Kështu, pavarësisht se mund të prezantosh ofertë më të mirë me çmim, ka vlerësime subjektive me pikë pershembull për “Sigurinë në kantier/ shëndetin, impaktin në mjedis dhe social”. Një kriter tjetër që mund të lëviz balancën është “Aftësia organizative, kualifikimi dhe përvoja e stafit për punime specifike shtesë”.
Kështu më 16 prill 2026, kompania e Ferdi Marrës është kurorëzuar fituese megjithëse nuk kishte ofertë konkurruese.

Nga ku dokument shihet qartë se “FLED” shpk e ka ofertën afro 20 milionë lekë më shumë se konkurrentët.
Zona ku do të zhvillohet projekti i Fermës së Mollëve ndodhet në afërsi të fshatit Qatrom, vetëm 5.4 km larg qytetit të Korcës. Terreni ku do të ngrihet ferma e mollëve është ngjitur me rrugën nacionale.

Në këtë vend do të ngrihet një kapanon njëkatësh, ku do të ketë hapësirë magazinimi dhe për prodhim lëng molle.

Por fundi i projektit mund të mos jetë si ky në figurë, sepse Ferdi Marra është i skeduar për mashtrimet me kontratat publike.
Ai është pronar i vetëm i kompanisë së krijuar më 2001, por është i integruar në një rrjet ekonomiko politik që garanton marrjen e fondeve përmes tenderave te manipuluar.

Firma “FLED” shpk është raportuar në vitin 2022 nga një auditim i KLSH në Bashkinë Ku çovë. Nga verifikimet e bëra në terren, rezultoi se kjo shoqëri mashtronte me faturat e punimeve dhe përfitonte fonde pa përmbushur kontratën.
“Situacionimi i volumeve jo në përputhje me faktin, veprime të cilat janë në shkelje të ligjit “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit”, Udhëzimin “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit” dhe të Kontratës së sipërmarrjes me nr. 298, datë 24 janar 2018” -Këto janë gjetjet e auditimit të KLSH në adresë të zbatimit të punimeve nga “FLED” shpk.
Vlera prej afro 1.6 milionë lekë pa TVSH, e cila përfaqëson likuidimin e punimeve të pakryera në fakt, në volumin e situacionuar, konsiderohet si dëm ekonomik në fondet e Bashkisë Kuçovë.

Sipas KLSH, dëmi ekonomik në buxhetin e njësisë vendore, vjen si rrjedhojë e situacionimit të punimeve të pakryera.

KLSH i la detyrë Bashkisë Kuçovë, të merrte masa për arkëtimin e vlerës nga sipërmarrësit të punimeve “FLED” SHPK &“Shkëlqimi 07” SHPK. Bëhet fjalë për kontratën me objekt “Rikonstruksion i rrugës “Enver Bregu”, Fshati Rreth Tapi, Njësia Administrative Perondi, në Bashkinë Kuçovë”, me vlerë afro 295 milionë Lekë pa TVSH.

Kjo nuk do të kishte ndodhur, nëse kompania “FLED” nuk do ta fitonte tenderin padrejtësisht.
Nga auditimi i procedurës ka rezultuar se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave e ka shpallur fituesin në kushtet e mos plotësimit të kërkesave për kualifikim, me pasojë përdorimin e paligjshëm të fondeve publike.

Mashtrim raportohet edhe me punimet civile të kontratës me objekt “Rikonstruksion i sheshit të shkollës 9-vjeçare 18 Tetori” Bashkia Kuçovë.

KLSH, siç vërehet në këtë dokument, ka konstatuar diferenca në volumin e punimeve të faturura nga kompania “FLED”.
Ndërkohë nga auditimi i tenderit me objekt “Rikualifikim urban i lagjes Llukan Prifti”, me fond limit 656 milionë lekë pa TVSH, me fitues bashkimin e operatorëve “FLED” SHPK & “Shkëlqimi 07’ SHPK, ka rezultuar se fituesi është vlerësuar dhe shpallur në kushtet e mosplotësimit të kërkesave për kualifikim.
“FLED” shpk është favorizuar në mënyrë të paligjshme edhe në prokurimin me objekt “Devijim i përroit Gegë për zgjerimin e varrezave publike”, me fond limit 151 milionë lekë me ofertë shumë të lartë dhe pa plotësuar kriteret.

Gjithashtu sipas auditimi te procedurës së prokurimit me objekt “Rikonstruksion i rrugës Murat Daulle”, me fond limit mbi 376 milionë lekë, “FLED” është shpallur fitues në kushtet e mosplotësimit të kërkesave për kualifikim.
Edhe Dritan Agolli nuk e ka përzgjedhur rastësisht kompaninë “FLED”. Në vitin 2024, Ferdi Marra ishte pjesë e bashkimit të kompanive që morën tenderin me vlerë 7.5 miliardë lekë. Sërish në krah të “Shkëlqimi 0”” shpk që është pronë e vëllait të ish-deputetit Agron Kapllanaj, Fredi Marra do të shkëlqente.
Nuk kishin asnjë konkurrent përballë, ndaj u shpallën menjëherë fitues. Formulari i fituesit paraprak është bërë publik më datë 25 tetor 2024. Monitoruesi Open Data Albania i ka vendosur “Flamurin e Kuq” për riskun e korrupsionit.

“SHKELQIMI 07” shpk është në pronësi të Shkëlqim Kapllanajt, vëllai i Agron Kapllanajt, i njohur si i privilegjuar i “Rilindjes”, megjithëse janë demokratë. Pozicionimi i ish-deputetit kundër Berishës, në krah të Lulzim Bashës, i ka sjellë kompanisë favorizime në tenderat publikë.
Ndërkaq, drejtori FSHZH, Dritan Agolli është në “listën e pritjes” në SPAK. Ai është paraqitur në SPAK në nëntor 2024, ku është pyetur për një tender me vlerë 500 mijë dollarë të FSHZH-s për një menu të projektit “100 fshatrat”.

Tenderi u fitua nga dy shefa kuzhine, një nga të cilët ishte i punësuar në një restorant në pronësi të djalit të Agollit.
Po ashtu, Dritan Agolli është pronar i një kompanie e quajtur ‘Magnum Opus’ group me objekt studime në nivel strategjik, menaxherial, operacional, analiza, vrojtime, sondazhe, konsulencë, shërbime administrative etj.
Kompania rezulton që ka marrë para publike përmes nënkontraktimeve dhe kompaninë që u ka dhënë tendera.
Një vit pasi Agolli është emëruar në krye të FSHZH, i biri i tij deklaron se gjyshi i ka dhuruar një shtëpi me sipërfaqe gati 1550 metra/katror, ndërsa Agolli ka deklaruar në institucionin kundër pastrimit të parave se ka shitur një apartament 360 mijë euro, ndërkohë që vlera e tij ka qenë gjysmë për gjysmë në kohën e blerjes.
Me këtë lëvizje ka justifikuar blerjet e apartamenteve dhe garazheve ku ai jeton dhe i ka pronë të tij. Bëhet fjalë edhe për një shumë që do t’ia kalonte biznesit të djalit të tij, 400 mijë euro. E ndërsa SPAK lëviz ngadalë me dosjen e hetimit, drejtori vazhdon fimos miliona euro tendera të dyshimtë.
gijotina.com/










