Një punëtor 50-vjeçar me origjinë shqiptare ka ndërruar jetë pas dy ditësh në gjendje të rëndë në spital, pasi u aksidentua në vendin e punës në Castelfiorentino, pranë kufirit me San Miniato.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 27 prill, teksa ai po punonte në një fermë bujqësore në zonën e Mellicciano. Sipas rindërtimit paraprak, burri mbeti i shtypur nga një betonierë e madhe portative, e cila u përmbys papritur për arsye që ende nuk janë sqaruar.
Pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e emergjencës, ndërsa gjendja e tij u vlerësua që në fillim si kritike. 50-vjeçari u sedatua dhe u intubua nga mjekët në vend, përpara se të transportohej me helikopterin e emergjencës “Pegaso” drejt spitalit Careggi në Firence, raportojnë mediat italiane.
Pavarësisht përpjekjeve intensive të mjekëve, plagët e rënda nga shtypja, traumat dhe dëmtimet e shumta rezultuan fatale. Ai ndërroi jetë mëngjesin e 29 prillit, pas dy ditësh agonie.
Sipas të dhënave paraprake, punëtori kishte mbetur i bllokuar poshtë makinerisë së rëndë, ndërsa në momentin e mbërritjes së zjarrfikësve ai ishte nxjerrë nga kolegët dhe ekipet e para të ndihmës, të cilët kishin nisur menjëherë procedurat për stabilizimin e tij.
Hetimet për ngjarjen janë në vijim dhe po drejtohen nga karabinierët dhe strukturat e mjekësisë së punës në Toskanë. Autoritetet do të verifikojnë dinamikën e plotë të aksidentit, masat e sigurisë në vendin e punës dhe përgjegjësitë e mundshme.










