Anketa e Ndërmarrjeve e Bankës Botërore për vitin 2025 gjeti rritje domethënëse të korrupsionit me lejet e ndërtimit në Shqipëri.
Publikimi i fundit mbi rezultatet e anketës tregoi se sektori i ndërtimit mbetet pika më kritike, ku rreth 28% e bizneseve deklarojnë se u është kërkuar ose është pritur prej tyre të japin dhurata apo pagesa joformale për të marrë një leje ndërtimi. Kjo shifër është katër herë më e lartë se mesatarja rajonale prej vetëm 7%.
Rezultatet tregojnë se ka një rritje të fortë të korrupsionit në krahasim me 2019, në anketën e mëparshme të Bankës. Gjashtë vite më parë rreth 9% e bizneseve raportonin se jepnin ryshfet për leje ndërtimi, sot kjo shifër është trefishuar duke arritur në 28%.
Kjo rritje tregon se sektori i ndërtimit është shndërruar në një vatër korrupsioni, ku pothuajse një në tre biznese detyrohet të ofrojë pagesa informale për të vijuar aktivitetin.
Sipas anketës situata me korrupsionin paraqitet problematike edhe në marrëdhëniet e biznesit me administratën tatimore. Të dhënat tregojnë se 12% e bizneseve shqiptare janë përballur me kërkesa për ryshfet gjatë këtyre kontakteve, një shifër që tejkalon sërish ndjeshëm mesataren e Evropës dhe Azisë Qendrore, e cila qëndron në 5%.
Ky trend i lartë i pagesave nën dorë, veçanërisht në proceset jetike për zhvillimin ekonomik siç janë lejet e ndërtimit dhe detyrimet tatimore, sinjalizon barriera serioze për mirëfunksionimin e tregut për vitin 2025.
Raporti i Bankës pati fokus edhe te incidenca e Ryshfetit, e cila mat përqindjen e bizneseve që kanë përjetuar të paktën një kërkesë direkte për pagesë ryshfeti.
Sipas të dhënave të vitit 2025, Shqipëria paraqitet me një nivel incidence prej 15%, shifër kjo që dëshmon se korrupsioni mbetet një fenomen i përhapur gjerësisht në mjedisin e bërit biznes në vend.
Përhapja e ryshfetit në Shqipëri është më shumë se dyfishi i mesatares së vendeve të Europës dhe Azisë Qendrore, ku kjo incidencë rezulton vetëm 6%. Edhe kur krahasohet me grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, ku mesatarja qëndron në 10%, Shqipëria mbetet përsëri në një pozicion disavantazhues.
Kjo tregon se, pavarësisht përpjekjeve për reforma, bizneset në Shqipëri vazhdojnë të përballen me korrupsion dukshëm më të lartë se vendet e Rajonit dhe në ekonomitë me zhvillim të ngjashëm./Monitor










