Teksa e gjithë qeveria është zhytur në afera korruptive, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të flasë për një tjetër temë, duke e cilësuar sigurinë ushqimore si sfidën më të vështirë për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Në një kohë kur opinioni publik është dëshmitar për skandalet e njëpasnjëshme që kanë përfshirë kabinetin qeveritar, Rama ka theksuar se standardet e BE-së për ushqimin janë ndër më të rreptat dhe se Shqipëria duhet të përmbushë kriteret për të ecur përpara në procesin e integrimit.
“Ky proces lidhet me sfidën më të vështirë dhe komplekse të të gjithë proceseve të anëtarësimit, sfida e sigurisë ushqimore.
Ky proces lidhet me një bagazh të pazëvendësueshëm dijeje që ne duhet ta importojmë nga BE në Shqipëri për të ndërtuar shtetin europian të shqiptarëve, që do ta importojmë në çdo drejtim për të garantuar standardet e BE, por në vendin tonë janë në funksion të shëndetit, zhvillimit, interesit të ço familjeje shqiptare dhe te siguria ushqimore është shumë konkrete.
Pa BE, pa gjithë këtë bagazh dijeje, përmes gjithë atyre hapave të parashikuar, masave që i sugjerohen Shqipërisë që t’i marrë përsipër, reformave që i kërkohen, ne do ta kishim të pamundur të arrinim ato standarde sigurie dhe garanci për zhvillim dhe prosperitet.
Kur flasim për sigurinë ushqimore nuk kemi si ta zëvendësojmë dhe realizojmë nëse nuk zotërojmë dijet për të ngritur gjithë atë ngrehinë institucionale, politikëbërjeje që në mungesë na krijon probleme të mëdha që reflektohen te shëndeti dhe mirëqenia e njerëzve tanë”, tha Rama.










