Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar zhvillimet në opozitë dhe protestën e fundit të organizuar nga PD, duke thënë se ajo nuk solli asgjë të re në përmbajtje dhe ndikim politik.
“Nga ana e përmbajtjes nuk solli asgjë të re kjo protestë. Si reagim ndaj korrupsionit, kriminalizimit etj., skandaleve të ish-zv/kryeministres, AKSHI-t etj., është e domosdoshme. Pritshmëritë e ngritura nga lidershipi, nga zoti Berisha si kryetar janë të tilla që i ulin vlerën”, u shpreh Salianji.
Ai kritikoi edhe gjuhën politike të përdorur para dhe pas protestës, duke thënë se dëmton besueshmërinë e opozitës.
“Qoftë pritshmëritë nga gjuha para protestës kur thonë se është kilometri i fundit etj., po ashtu edhe gjuha pas protestës, është një gjuhë politike që dëmton në besueshmëri opozitën. Nuk mund të thuhet pas asaj proteste se ‘regjimi u tmerrua’ etj. Duhet të gjejmë një mënyrë tjetër komunikimi dhe ndaj kam dalë në këtë lëvizje duke kërkuar ndryshim edhe në gjuhën politike”, tha ai.
Salianji shtoi se kryetari aktual i PD-së, Sali Berisha, sipas tij, është bërë pengesë për ndryshimin dhe rotacionin politik.
“Berisha ka kontributet e veta, por tani është i pamjaftueshëm, madje pengesë për të sjellë rotacionin. Këto protesta tani janë rezistencë për të mos ndryshuar PD”, deklaroi ai.
Ai u shpreh në emisionin “Studio24” se opozita nuk mund të vazhdojë të kërkojë durim pas kaq shumë vitesh në opozitë, duke theksuar nevojën për ndryshim të menjëhershëm.
“Ne kemi 13 vite në opozitë, nuk duhet durim, duhet nxitim i madh, reagim i fortë, përballje e fortë. Çfarë durimi të kemi ne, kemi 13 vite në opozitë dhe jemi shumë më dobët se më parë”, tha Salianji.
Ai komentoi edhe rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, duke e konsideruar atë si të dobët dhe duke theksuar se problemet e deformimit të vullnetit të zgjedhësve mbeten të njëjta.
“Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit ishte i dobët. Të gjithë elementët që kanë të bëjnë me deformimin e vullnetit të zgjedhësve janë të njëjtat si më parë. Ndërsa sot kemi rezultat edhe më të dobët”, deklaroi ai.










