Një rast prostitucioni është goditur në Shkodër, ku kanë rënë në pranga 5 persona, mes tyre 3 shtetase kolumbiane. Sipas njoftimit të Policisë, rasti u zbulua në një apartament në lagjen “3 Heronjtë”, i përshtatur për ushtrimin e prostitucionit.
Në pranga u vunë shtetaset kolumbiane A. M., 48 vjeçe, P. B., 32 vjeçe dhe D. R., 27 vjeçe, të cilat dyshohet se kishin marrë me qira apartamentin dhe e përdornin për prostitucion. Gjithashtu u arrestuan edhe F. V., 28 vjeç, banues në Vermosh, dhe K. G., 24 vjeç, banues në Bajzë, të akuzuar për përfshirje në prostitucion.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër / Finalizohet operacioni policor i koduar “Rent Home 3”, goditet një tjetër rast i prostitucionit. Vihen në pranga 3 shtetase kolumbiane, që ushtronin prostitucion në dy apartamente që i kishin marrë me qira. Vihen në pranga edhe 2 shtetas për prostitucion, si dhe procedohet penalisht shtetasja që ua kishte dhënë me qira apartamentet.
Sekuestrohet një shumë parash, e dyshuar si e përfituar nga prostitucioni, si dhe 6 telefona celularë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Rent Home 3”.
Si rezultat i këtij operacioni, u zbulua një apartament në lagjen “3 Heronjtë”, ku ushtrohej prostitucion. Në kuadër të operacionit u arrestuan 5 shtetas, të kapur në ambientet e apartamentit, konkretisht: shtetaset kolumbiane A. M., 48 vjeçe, P. B., 32 vjeçe dhe D. R., 27 vjeçe, të cilat kishin marrë me qira apartamentin dhe e kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit; -F. V., 28 vjeç, banues në fshatin Vermosh, dhe K. G., 24 vjeç, banues në Bajzë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen D. D., 27 vjeçe, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”. Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.








