Një aksident i rëndë është regjistruar në autostradën Çermë–Lushnjë, në zonën e fshatit Konjat, pranë Lushnjë.
Sipas informacioneve paraprake, tre automjete janë përplasur mes tyre, ndërsa një prej mjeteve ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar i përplasur në barrierën anësore.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i njërit prej mjeteve ka mbetur i bllokuar brenda automjetit.
Në vendngjarje pritet ndërhyrja e forcave zjarrfikëse, të cilat do të përdorin pajisje prerëse për ta nxjerrë nga mjeti.
Ende nuk ka të dhëna të plota për gjendjen shëndetësore të të përfshirëve, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.










