Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka reaguar pas akuzave të bëra ditën e djeshme nga Kryedemokrati Sali Berisha, gjatë një takim me fermerët në Berat. Gjatë fjalës së tij, Lideri i opozitës e akuzoi ish-deputetin se kishte drekuar me Ergys Agasin dhe kërcënonte demokratët me Suel Çelën.
Këtyre deklaratave, Salianji u është përgjigur me një postim në Facebook, duke theksuar se sulmet e Berishës nuk janë as të rastësishme dhe as të sinqerta, por janë shprehje e qartë e frikës nga gara dhe humbjes së privilegjeve që e kanë bërë të destabilizohet dhe të shfaqë gjendje të rënduar psiko-emocionale.
Salianji tha ndër të tjera, se ai vetë nuk ka bërë kurrë pazare me Ramën, ndërsa Berisha dhe rrethi i tij kanë bërë. Demokrati nënvizon se nuk i trembet askujt dhe nuk shmang nga asnjë përballje, por kërkoj garë të hapur dhe të ndershme, përpara demokratëve.
Postimi i plotë:
Sulmet e Sali Berishës nuk janë as të rastësishme dhe as të sinqerta. Janë shprehje e qartë e frikës nga gara dhe humbjes së privilegjeve që e kanë bërë të destabilizohet dhe të shfaqë gjendje të rënduar psiko-emocionale!
Kur mungojnë argumentet, dalin shpifjet. Kur mungon besimi te vetja, sulmohet tjetri.
Unë nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë pjesë e pazareve me pushtetin e Edi Ramës ndërsa Sali Berisha dhe rrethi i tij po! Kam paguar personalisht për qëndrimet e mia edhe me burg, me goditje politike, me sulme të vazhdueshme. Jo sepse u përkula, por sepse nuk u përkula.
Të më akuzosh mua për lidhje me krimin është jo vetëm qesharake, por dëshmi e një paniku të thellë politik.
Këto janë metoda të vjetra: shpif, baltos, frikëso sepse nuk përballon dot garën. Me mua nuk ja del dot!
E vërteta është kjo: nuk i trembem askujt dhe nuk shmangem nga asnjë përballje. Përkundrazi, kërkoj garë të hapur, të ndershme, përpara demokratëve.
Problemi nuk është mendimi ndryshe. Problemi është frika nga mendimi ndryshe. Problemi është frika nga një alternativë që nuk kontrollohet. Demokratët nuk kanë nevojë për etiketime dhe përjashtime, por për garë të vërtetë dhe përfaqësim të ndershëm. Kush i shmanget garës, e ka humbur atë që pa hyrë. Unë jam këtu. Në betejë. Pa frikë dhe derisa ta bëjmë opozitën fituese dhe te largojme autokratet në qeveri dhe opozitë!










