Një ngjarje e rëndë kriminale është zbardhur nga autoritetet, pas kallëzimit të bërë nga një 32-vjeçar, i cili pretendon se është marrë me forcë dhe është mbajtur peng për disa orë në zonën e Xhafzotajt.
Nga hetimet paraprake rezulton se më datë 31 mars 2026, tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë marrë me forcë 32-vjeçarin duke e futur në një automjet dhe më pas e kanë mbajtur në një ambient privat, ku dyshohet se e kanë kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij.
Qëllimi i kësaj ngjarjeje dyshohet të ketë qenë përfitimi i një shume monetare, ndërsa viktima ka arritur të denoncojë rastin pranë autoriteteve, duke vënë në lëvizje strukturat përkatëse.
Në kuadër të operacionit janë ndaluar shtetasit Hysen Neza, 33 vjeç dhe Kevin Neza, 25 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër i dyshuar me inicialet J. N., 28 vjeç, banues në Xhafzotaj.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.










