Detaje të reja janë zbuluar nga konflikti i djeshëm mes dy fqinjëve që përfundoi në vrasje.
Konflikti ka ndodhur mes Eduart Afmatajt dhe Artur Çangut, ku ky i fundit përfundoi i vrarë.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti mes dy fqinjëve ka nisur rreth 2 vite më parë dhe është për çështje pronësie. Por ditën e djeshme, konflikti agravoi pasi Çangu kishte shkuar në banesën e prindërve të tij dhe kishte parkuar automjetin në rrugë.
Kjo ka sjell reagimin e Afmatajt, i cili ka pretenduar se makina i ka bllokuar rrugën. Debati nisi me fjalë, por shpejt agravoi në konflikt fizik, ku Afmataj mori një armë gjahu tip ‘çifte’ dhe ka qëlluar për vdekje Çangun.
Pas vrasjes, ka qenë vetë Afmataji cili ka njoftuar policinë dhe më pas është larguar nga vendngjarja me shpejtësi. Në momentin që patrullat e policisë kanë shkuar në zonë, autori ishte larguar, ndërkohë që edhe pas kërkimeve në zonë, akoma nuk është gjetur një pistë mbi vendndodhjen e autorit.







