Ngjarje të tilla nuk janë thjesht incidente të izoluara – ato janë pasqyra të një dështimi të thellë institucional dhe moral. Hedhja e qenve të ngordhur në hapësira publike, një turp që ka emër dhe përgjegjësi.
Pamjet dhe denoncimet e fundit për hedhjen e qenve të ngordhur në vende të hapura kanë tronditur opinionin publik dhe kanë rikthyer një pyetje thelbësore: Kush mban përgjegjësi për këtë barbarizëm urban?
Në një qytet që synon të quhet europian, nuk mund të ketë vend për praktika që i përkasin një realiteti të errët dhe të papërgjegjshëm. Megjithatë, realiteti në terren tregon të kundërtën. Trupat e kafshëve të braktisura si mbeturina janë dëshmi e një sistemi që ka dështuar, jo vetëm në menaxhim, por edhe në ndjeshmëri.
Në krye të këtij sistemi qëndron Anuela Ristani, e cila prej muajsh po fle gjumë duke premtuar transformimin e qytetit në një model modern. Por modernizimi nuk matet me fasada dhe projekte estetike! Ai matet me mënyrën si trajtohen më të pambrojturit, përfshirë kafshët.
Po aq shqetësues është roli i institucioneve përgjegjëse për kontrollin dhe mirëqenien e kafshëve. Blerta Dardha, në krye të Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe strukturave përkatëse, nuk mund të mbetet në heshtje përballë një skandali të tillë. Mungesa e transparencës, reagimit dhe masave konkrete ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin dhe prioritetet e këtij institucioni.

Shoqatat për mbrojtjen e kafshëve kanë ngritur alarmin prej kohësh. Ato flasin për mungesë sterilizimesh, për trajtime çnjerëzore dhe për një kulturë institucionale që i sheh kafshët si problem për t’u zhdukur, jo si qenie për t’u mbrojtur. Ngjarjet e fundit vetëm sa e konfirmojnë këtë realitet të dhimbshëm.
Hedhja e trupave të qenve në ambiente publike nuk është vetëm çështje etike, është edhe rrezik për shëndetin publik, por edhe krim mjedisor. Është një akt që cenon dinjitetin e qytetit dhe tregon një neglizhencë të papranueshme.
Mendoj që koha për deklarata ka mbaruar dhe qytetarët kërkojnë përgjegjësi konkrete se kush i urdhëron këto praktika, apo pse nuk ka protokolle të qarta për trajtimin e kafshëve të ngordhura e pse institucionet heshtin?
Dhe e gjitha kjo ka vetëm një përgjigje! Kjo situatë nuk është aksidentale, por pasojë e një sistemi që ka zgjedhur të mos shohë dhe kjo është e papranueshme. Por si duket, Blerta dhe Anuela nuk e dinë se një qytet nuk gjykohet nga sa ndërton, por nga sa mbron. Dhe sot, Tirana po dështon në këtë provë themelore.









