Banka Botërore ka rishikuar lehtë në ulje pritshmërinë për rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke e çuar atë në 3.4% për vitin 2026, nga 3.5% që parashikonte më herët.
Banka Botërore, në raportin e fundit të prillit 2026, të titulluar “Politikat industriale” pret që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë mesatarisht një rritje prej 3.1% në 2026 dhe 2027, të mbështetur nga eksportet më të forta dhe investimet publike, përfshirë projektet infrastrukturore të financuara nga Bashkimi Europian. Megjithatë, kjo nuk mjafton për të shmangur ngadalësimin e konsumit, teksa rritja e pagave pritet të zbutet, investimet të dobësohen nga ftohja e bumit të ndërtimit të lidhur me turizmin dhe hyrjet e investimeve të huaja direkte të jenë më të vakëta.
Raporti thekson gjithashtu se vendet e rajonit, të gjitha me synim anëtarësimin në Bashkimin Europian, duhet të përdorin më mirë politikat industriale dhe tranzicionin e gjelbër për të forcuar sigurinë energjetike dhe për ta afruar ekonominë me standardet e tregut Europian të energjisë. Ky është një sinjal se rritja e ardhshme nuk mund të mbështetet pafundësisht te konsumi, ndërtimi apo turizmi, por kërkon një bazë më të gjerë prodhuese dhe më shumë diversifikim ekonomik.
Sipas raportit, qëndrueshmëria e vendeve të Europës dhe Azisë Qendrore po vihet sërish në provë nga kriza në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të importeve të energjisë. Rritja ekonomike në rajon pritet të ngadalësohet mesatarisht në 2.2% në vitet 2026-2027, nga 2.6% që ishte në vitin 2025. Në Federatën Ruse, ritmet e zgjerimit ekonomik pritet të zbuten për shkak të mbështetjes më të kufizuar fiskale dhe kufizimeve strukturore. Ndërsa në Turqi, rritja ekonomike pritet të bjerë në 2.8% këtë vit, si pasojë e çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve, përpara se të përshpejtohet sërish në 3.7% në vitin 2027.
Rreziqet për perspektivën mbeten të konsiderueshme. Një konflikt më i zgjatur dhe më intensiv në Lindjen e Mesme mund të godasë rëndë furnizimin global të energjisë, duke çuar më lart çmimet e naftës, gazit natyror dhe plehrave kimike, si dhe duke sjellë rritje ekonomike më të dobët dhe inflacion më të lartë. Po ashtu, rritja në Eurozonë mund të dobësohet, veçanërisht nëse tensionet në tregtinë globale përshkallëzohen.

gijotina.com/.










