Debati mbi përdorimin e gjuhës shqipe u shfaq fuqishëm gjatë seancës së 13-të të Komisionit për Mundësi të Barabarta në Shkup. Deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti, reagoi për mosrespektimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke theksuar se materialet e seancës nuk ishin përkthyer në shqip, gjë që e bënte të ndihej e diskriminuar dhe jo në kushte të barabarta. Ajo bllokoi seancën duke kërkuar që fillimisht t’i siguroheshin materialet në gjuhën shqipe përpara vazhdimit të diskutimeve.
Nga ana tjetër, nënkryetarja e komisionit, Vesna Gjorgjieva, i hoqi të drejtën e fjalës Dautit, duke e akuzuar për përpjekje për manipulim të pjesëmarrësve dhe përfitim politik. Megjithatë, Dauti qëndroi në foltore dhe ngriti shqetësime për dokumente të nënshkruara vetëm në gjuhën maqedonase, duke fajësuar edhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashin, për neglizhencë në zbatimin e gjuhës shqipe. Pas kësaj, u kërkua pauzë për të përgatitur materialet në shqip për deputetët shqiptarë.
Debati për përdorimin e gjuhës shqipe ka marrë një përmasa më të gjerë në Maqedoninë e Veriut pas protestave të studentëve shqiptarë të Jurisprudencës, të cilët kërkojnë që provimet e lirimit të mbahen në gjuhën shqipe. Studentët dhe qytetarët shqiptarë kanë theksuar se kjo është një e drejtë e tyre ligjore, ndërsa disa kanë kritikuar partitë shqiptare për dobësimin e mbrojtjes së gjuhës amëtare.










