Bota e futbollit ndalet për të nderuar Mircea Lucescu-n, trajnerin legjendar rumun që ndërroi jetë në moshën 80-vjeçare. UEFA ka vendosur që të gjitha ndeshjet e Champions League, Europa League dhe Conference League, që zhvillohen sot dhe nesër, të fillojnë me një minutë heshtje në nder të tij.
Lucescu ishte një figurë ikonike, me një karrierë të gjatë dhe të pasur me suksese që përfshiu dekada dhe kampionate të ndryshme. Deri pak javë më parë, ai ishte ende në krye të kombëtares rumune, duke e mbyllur një rrugëtim që filloi më shumë se 40 vjet më parë dhe u zhvillua në vende si Italia, Turqia, Ukraina dhe Rusia.
Para se të bëhej trajner, Lucescu shkëlqeu si futbollist i Dinamos së Bukureshtit, duke fituar shumë tituj dhe duke mbajtur gjatë kohës fanellën e përfaqësueses së Rumanisë, të cilën e udhëhoqi edhe si kapiten në Botërorin e vitit 1970.
Si trajner, ai la gjurmë të thella kudo: në Itali me skuadra si Pisa, Brescia, Reggiana dhe Inter; në Turqi me Galatasaray-n dhe Beşiktaş-in; dhe veçanërisht në Ukrainë me Shakhtar Donetsk, ku arriti kulmin me fitimin e Kupës UEFA në vitin 2009 dhe shumë tituj vendorë. Me mbi 1.600 ndeshje në pankinë dhe 35 trofe të fituar, Lucescu konsiderohet një nga mjeshtrit e mëdhenj të futbollit evropian.
Sot, në të gjitha fushat e kontinentit, kujtimi i tij do të shoqërohet nga një heshtje e thellë, simbol i respektit dhe mirënjohjes për një legjendë që ndryshoi historinë e futbollit europian.









