Partia Demokratike i ka kërkuar Kuvendit që të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar propozimin e saj për uljen e çmimit të naftës.
Grupi parlamentar i opozitës kërkon që ky propozim të përfshihet në seancën plenare të 16 prillit, si një masë emergjente që do të sillte shmangien e pasojave ekonomike që rëndojnë mbi qytetarët.
Propozimi i Partisë Demokratike kërkon vendosjen e akcizës së ndryshueshme për lëndët djegëse. Thënë ndryshe, e gjithë TVSH-ja që akumulohet nga rritja e çmimit të karburantit do të shkojë automatikisht për uljen e akcizës së naftës. Nëse kjo masë do të aplikohej, sot çmimi i naftës nuk do të ishte më i lartë se 180 lekë për litër.
“Shqipëria renditet ndër vendet me cmimin më të lartë të karburantit në Evropë dhe Botë, ndonëse renditemi në vendet e fundit të listës përsa i përket nivelit të të ardhurave të pergjitshme dhe për frymë. Një prej arsyeve kryesore të cmimit tejet të lartë të karburanteve, është pikërisht edhe niveli i lartë i taksës së qarkullimit, e cila pasi ngarkohet edhe me normën e TVSH-së, përbën një peshë të konsiderueshme të cmimit final të litrit të karburantit.“, thuhet në shkresën e PD.
PD argumenton se projektligji synon të adresojë mungesën aktuale të një mekanizmi të integruar reagimi ndaj krizave energjetike, ndërsa shton se rritja e naftës mund të ketë pasoja edhe në produkte të tjera jetësore.
“Me shpresën se secili deputet i Kuvendit të Shqipërisë bashkëndanë shqetësimin tonë për rritjen e papërballueshme të cmimit të karburanteve për cdo qytetarë shqiptarë, me pasoja edhe në rritjen e produkteve të tjera jetësore, kërkojmë miratimin e kësaj kërkese.”, thuhet më tej në kërkesën e PD.













