Çmimi i karburanteve në vend ka shënuar sërish rritje, duke arritur në 235 lekë për litër dhe duke rënduar ndjeshëm koston e jetesës për familjet shqiptare.
Përballë kësaj situate, Partia Demokratike ka reaguar duke akuzuar qeverinë për taksa të larta dhe duke propozuar një zgjidhje urgjente.
Nënkryetarja e grupit parlamentar të PD-së, Ledina Alolli, deklaroi se rritja e çmimeve sa herë që ka një krizë në botë nuk është rastësi, por “rrjedhojë e një tregu të deformuar dhe klientelist”.
Sipas saj, qeveria Rama e ka kthyer këtë model në një normë funksionimi, duke i lënë institucionet të sillen si “spektatorë të heshtur” përballë varfërisë në rritje.
Ajo theksoi se çmimi i lartë i naftës në Shqipëri, krahasuar me vendet fqinje si Kosova dhe Maqedonia, është rezultat direkt i taksave të larta dhe mungesës së politikave lehtësuese.
Deklarata:
Një realitet ku varfëria rritet me të njëjtin ritëm me çmimet, ndërsa institucionet që duhet të mbrojnë qytetarët janë kthyer në spektatorë të heshtur.
Sa herë që ka një krizë në botë, këtu tek ne çmimet shpërthejnë. Kjo nuk është rastësi, por rrjedhojë e një tregu të deformuar dhe klientelist.
Një model që përsëritet dhe që qeveria Rama e ka kthyer atë në normë funksionimi.
Çmimi i naftës po rritet, duke rritur me shpejtësi edhe koston e jetesës për çdo familje shqiptare. Sot, një litër nafte ka tejkaluar në 235 lekë. Ndërkohë që në vendet fqinje si Kosovë, Maqedoni, nafta është shumë më lirë.
Ky fakt është rezultat i taksave të larta dhe mungesës së politikave lehtësuese të shtetit ndaj qytetarëve të vet.
Kjo çështje nuk zgjidhet me bord transparence. Bordi i transparencës legjitimon abuzimin dhe shmang përgjegjësinë që duhet të ketë një qeveri në raport me qytetarët e vet.
Qeveria duhet që të implementojë me urgjencë propozimin e Partisë Demokratike për akcizë të ndryshueshme.
Thënë ndryshe, e gjithë TVSH-ja e cila akumulohet prej rritjes së çmimit të karburantit, shkon automatikisht për uljen e akcizës së naftës.









