Gjykata e Posaçme ka caktuar datën 27 prill, ora 11:00, për nisjen e gjykimit ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-deputetes Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurve të tjerë.
Gjatë seancës paraprake, trupa gjykuese e përbërë nga Etleva Deda, Atalanta Zeqiraj dhe Besmir Stroka, shqyrtoi pretendimet e të pandehurve, të cilët i hodhën poshtë akuzat e SPAK-ut duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.










