Mbrëmja e djeshme në Champions League dhuroi 4 gola dhe shumë emocione, aty ku kulmoi fitorja e Bayern Munuch kundër Real Madrid, pas 12 vitesh pritje në këtë kompeticion ndaj “Galaktikëve” (2 – 1), pa harruar fitroren minimale 1 – 0 të Arsenalit në Lisbonë kundrejt Sportingut.
Çerekfinalet e UEFA Champions League premtojnë spektakël të vërtetë, me dy përballje që tërheqin vëmendjen e futbolldashëesve këtë të mërkurë: Paris Saint-Germain pret Liverpoolin në Paris, ndërsa Barcelona përballet me Atletico Madridin në një duel “të brendshëm” spanjoll.
PSG – Liverpool, një ‘larje hesapesh’
Kjo sfidë rikthen kujtime nga sezoni i kaluar, kur PSG eliminoi Liverpoolin me penallti dhe më pas fitoi trofeun. Edhe këtë sezon, skuadra e drejtuar nga Luis Enrique ka kaluar ulje-ngritje, por në fazën me eliminim direkt ka treguar forcën e saj të vërtetë. Parizienët eliminuan bindshëm Chelsea-n me rezultat të përgjithshëm dominues, duke shfaqur një sulm të frikshëm me emra si Ousmane Dembélé dhe Khvicha Kvaratskhelia.
Nga ana tjetër, Liverpooli nuk ka qenë në formën më të mirë këtë sezon, sidomos në kampionat, por në Europë ka treguar shpesh karakter. “The Reds” eliminuan Galatasaray-n me një përmbysje të madhe dhe kanë arritur fitore prestigjioze ndaj gjigantëve si Real Madridi dhe Interi. Me lojtarë si Mohamed Salah në formë, anglezët besojnë se mund të befasojnë sërish në Paris.
Barcelona – Atletico, përplasja e ‘titanit’ me sfiduesin
Në anën tjetër, Barcelona hyn si favorite ndaj Atletico Madridit, duke parë dominimin në La Liga dhe paraqitjet bindëse në Europë. Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick ka qenë ndër më spektakolaret, duke eliminuar Neëcastle United me një fitore të thellë 7-2 në ndeshjen e kthimit. Ylli i ri, Lamine Yamal, vazhdon të jetë një nga armët kryesore të katalanasve.
Ndërkohë, Atletico e Diego Simeones ka pasur një sezon të paqëndrueshëm, por mbetet gjithmonë një skuadër e rrezikshme në ndeshje direkte. Ata eliminuan Tottenham Hotspur pas një përballjeje spektakolare, por humbja e fundit ndaj Barcelonës në kampionat ngre pikëpyetje për shanset e tyre.
Dy përballje, dy histori të ndryshme, por një objektiv i përbashkët: një vend në gjysmëfinalet e Champions League. Spektakli është i garantuar.









