Sekretariati i Etikës së Kuvendit ka marrë vendimin që të përjashtojë me 20 ditë deputetin e Partisë Demokratike, Flamur Noka, pas përplasjeve dhe tensioneve të ashpra në Kuvend seancën e të enjtes.
Po ashtu, edhe deputetja demokrate, Elda Hoti është përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit, ndërsa Albana Vokshi nuk ka marrë asnjë masë ndëshkuese.
Partia Socialiste kishte kërkuar përjashtimin e të tre deputeteve të PD-së.
Ndërkohë Sekretariati i Etikës rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike, e cila kishte kërkuar përjashtimin me 60 ditë të Taulant Ballës.
Çfarë ndodhi në Parlament?
Tensionet nisën gjatë seancës së pasi kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, bëri thirrje për të mbajtur 1 minutë heshtje për 35 vjetorin e masakrës së fundit komuniste, më 2 prill 1991 në Shkodër.
PD e cilësoi si provokim, ndërsa situata u tensionua edhe gjatë momenteve të pushimit, teksa Noka i drejtohet Ballës, duke i thënë se “do të të rrjep si kec” dhe “Të bëj atë që nuk të shkon në mendje”.
Një tjetër përplasje u regjistrua me deputeten e PD, Elda Hoti, e cila i mori kartën e mikrofonit deputetes socialiste Bora Muzhaqi. Në këtë moment ndërhyri edhe Taulant Balla, i cili debatoi ashpër me Hotin. Tensione pati gjithashtu edhe mes Albana Vokshit dhe deputetes së PS, Bora Muzhaqi.
PD kërkoi përjashtimin e Ballës
PD pretendon se Balla ka përdorur gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj deputetes Elda Hoti. Në kërkesën për përjashtim thuhet se situata ka sjellë reagimin e menjëhershëm të opozitës, e cila i ka kërkuar drejtuesit të seancës, Niko Peleshi, marrjen e masave disiplinore.
“Rezulton se kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla ka përdorur gjuhë fyese, ofenduese, diskriminuese dhe kërcënuese, tërësisht të papranueshme në drejtim të Sekretares së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetes Elda Hoti, duke cënuar rëndë dinjitetin dhe sigurinë e saj fizike. Kjo gjuhë fyese dhe kërcënuese dëmton rëndë reputacionin dhe besimin e qytetarëve tek Kuvendi dhe deputetët, si dhe përhap mesazhin e normalizimit të njjë gjuhe të tillë ndaj vajzave dhe grave”, thuhet në shkresën depozituar Sekretariatit të Etikës.
Po ashtu, në kërkesë përmendet edhe një tjetër episod gjatë së njëjtës seancë, ku Balla akuzohet se ka përdorur gjuhë jo parlamentare ndaj deputetit Fatmir Mediu.
“Po gjatë të njëjtës seancë deputeti Taulant Balla, ka përdorur gjuhë jo parlamentare dhe që cënon dinjitetin ndaj deputetit Fatmir Mediu. Ai arriti deri aty sa në përfundim të fjalës ju drejtua me fjalët “ik pirdhu”, në seancë plenare”, thuhet në shkresë.









