Konferenca e Kryetarëve është shoqëruar me debate mes opozitës dhe mazhorancës, ku kjo e fundit rrëzoi kërkesën për ngritjen e dy komisioneve hetimore, për rrugët e shembura dhe AKSHI-n.
Gjatë debate, kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi akuzoi shumicën se po bllokon sistematikisht nismat e opozitës, duke përfshirë komisionet hetimore, interpelancat, mocionet me debat dhe amendamentet ligjore.
Ai ngriti shqetësimin se refuzimi i këtyre instrumenteve cenon thelbin e parlamentarizmit dhe vë në pikëpyetje rolin e opozitës në Kuvend.
Nga ana tjetër, Peleshi kundërshtoi këto pretendime, duke theksuar se janë respektuar të gjitha mekanizmat ligjorë dhe rregullorja e Kuvendit.
Gazment Bardhi: Nëse kërkesat e opozitës rrëzohen nga urrejtja politike, ky nuk është parlamentarizëm. Prandaj po ju pyes, kryetar, cili është roli i deputetëve, kur ju nuk pranoni as komisione hetimore, as interpelanca, as mocione me debat, as amendamente, as ligje?
Cili është roli i opozitës? T’ju bëjë fresk juve?
Na thoni cili është roli ynë. Sepse na thoni “hajde të bashkëpunojmë” dhe “të jemi konstruktivë”, por kur ne e bëjmë këtë, ju rrëzoni gjithçka.
Ju, kryetar, jeni garant për funksionimin e Kuvendit. Na keni lexuar një fjalim që na ka prekur, ndërsa sot nuk gjej asnjë çështje që ju, si kryetar, e keni mbrojtur për opozitën.
Niko Peleshi: Unë kam ushtruar te gjith mekanizmat. Si kryetar parlamenti kam luajtur rol konstruktiv dhe u kam krijuar hapësirat qe ju jep rregullorja dhe ligji. Është e matshme hapësira qe opozita ka ne kuvend. Duke nisur qe me minutazhin e te folurit.









