Opozita ka njoftuar zhvillimin e protestës së radhës kombëtare më 17 prill në Tiranë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar edhe skenarët që mund të ndiqen gjatë kësaj proteste, duke përmendur mundësinë e bllokimit të rrugëve dhe shesheve si formë reagimi.
Sipas tij, këto veprime synojnë të ushtrojnë presion ndaj qeverisë, të cilën e akuzon për keqqeverisje.
“Ndaj unë u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që më 17 prill është dita e tyre, ora e tyre dhe t’i tregojmë vendin këtij regjimi antishqiptar që po vjedh sa asnjë tjetër në Shqipëri”, tha ai.
Deklarata
Të gjitha këto me këtë qeveri janë të pashpresa sepse Edi Rama faktoi se për të mbrojtur vjedhjet e tij dhe të Lubi Ballukut, është i aftë të bllokojë përfundimisht drejtësinë, dhe të miratojë ligje dhe praktika me të cilat përligj vjedhjen nga ai, rrethi i tij familjar dhe ministrat e tij.
Edhe njëherë, dënoj me forcën më të madhe këtë qëndrim, i cili de facto, me shpejtësi të rrufeshme, po izolon Shqipërinë.
Janë në katër mbledhje të Këshillit të Ambasadorëve dhe Zyrtarëve të lartë në Bruksel, në të cilat raporti për standardet dhe luftën kundër korrupsionit i Shqipërisë mbetet në klasë për shkak të Lubi Ballukut dhe të AKSHI-t si kopshti privat i Edi Ramës.
Këto janë vetëm masat ndëshkimore fillestare.
Masa të tjera ndëshkimore ndaj Shqipërisë do të vijnë dhe që të gjitha për faktin se Edi Rama dëshmoi se kur është puna për vjedhjet e tij, për korrupsionin e tij dhe të lidhur me të dhe të familjarëve të tij, ai nuk njeh ligj, Kushtetutë, as dhe rregull.
Ndaj dhe me këtë rast u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, me datën 17 prill është dita e tyre, është ora e tyre.
Të mblidhemi në Tiranë në kryengritjen më të fuqishme paqësore për t’i treguar vendin këtij regjimi antishqiptar, këtij regjimi që po vjedh shqiptarët sa asnjë qeveri tjetër në histori.









