Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka postuar një mesazh ku shpjegon se akuza e shpërdorimit të detyrës është vepër penale.
“Direktiva e miratuar dje nga Parlamenti Evropian vulosi përfundimisht me miratimin e përfaqësuesve të 27 vendeve se kjo shkelje përbën vepër penale”, shkruan Këlliçi.
Sipas deputetit demokrat, “mesazhi është i drejtpërdrejtë për narkopushtetin e autokratit Rama që kërkon me çdo kusht ta trajtojë korrupsionin si problem shoqëror e jo “markë” të qeverisjes kriminale”. “Evropa nuk negocion me korrupsionin, e kriminalizon atë qysh tek pragu: “shpërdorimi i detyrës”, shkruan ai.
Mesazhi:
Shpërdorimi i detyrës nuk është më as “zonë gri” e as vepër e zakonshme siç është përpjekur ta “paketojë” pushteti i kalbur në Shqipëri.
Por korrupsion, i pastër, i zhveshur nga çdo alibi.
Dhe këtë nuk e thotë më opozita, as gazetarët shqiptarë, por vetë standardi evropian. Direktiva e miratuar dje nga Parlamenti Evropian vulosi përfundimisht me miratimin e përfaqësuesve të 27 vendeve se kjo shkelje përbën vepër penale.
Në Tiranë, shpërdorimi i detyrës përbën rutinë qeverisjeje, si streha e fundit e të korruptuarve e zhvatësve të shqiptarëve, duke u konsideruar madje aftësi, e duke marrë dënime minimale. Por në Bruksel quhet me emrin e vërtetë, korrupsion, vepër penale e dënueshme si abuzim i rëndë.
Nëse ka mbetur skeptik në këmbë që beson se propaganda të çon në BE, ky është rasti për të kuptuar dallimin mes pushtetit që shpik normalitetin e vjedhjes dhe Europës që të tregon kufijtë qysh tek shpërdorimi i detyrës.
Me gjithë përpjekjen e vijueshme të opozitës për ta denoncuar këtë “varkë shpëtimi” për qindra zyrtarë të korruptuar, duhej ky sinjal i qartë nga Brukseli se për t’u integruar, çdo devijim standardesh paguhet me përjashtim.
Mesazhi është i drejtpërdrejtë për narkopushtetin e autokratit Rama që kërkon me çdo kusht ta trajtojë korrupsionin si problem shoqëror e jo “markë” të qeverisjes kriminale. Europa nuk negocion me korrupsionin, e kriminalizon atë qysh tek pragu: “shpërdorimi i detyrës”. Pikë.
Kjo është garanci për qytetarët se taksat e tyre janë një e drejtë bazike që kërkon transparencë dhe llogaridhënie.
Mos e harroni, Rama mund ta quajë aftësi. Parlamenti Evropian e quan korrupsion.
Mes këtyre dy fjalëve ndahet fati i këtij vendi.








