Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar pas përmbajtjes së transmetuar mbrëmjen e kaluar në një emision investigativ, ku njërit prej anëtarëve të këtij institucioni, Olger Eminaj iu publikuan mesazhe telefonike të papërshtatshme me një denoncuese.
Gjithashtu, KLP sqaron se ankesa e qytetares është përcjellë për shqyrtim pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në përputhje me procedurat ligjore.
Lidhur me çështjet etike dhe disiplinore që përfshijnë anëtarët e Këshillit, neni 104, i ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, parashikon se çdo pretendim për shkelje disiplinore ndaj anëtarëve të KLP-së i nënshtrohet kompetencës ekskluzive të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe më tej Gjykatës Kushtetuese.
Në interes të informimit të drejtë të opinionit publik dhe medias, theksojmë se çështja është duke u verifikuar plotësisht nga institucionet kompetente, për zbardhjen e së vërtetës. Ndaj, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha institucionet, me qëllim trajtimin e kësaj çështjeje në mënyrë objektive, të paanshme dhe në përputhje me ligjin.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë garanton se përtej situatave të caktuara, do të vijojë përpjekjet për të ruajtur integritetin institucional në përmbushjen e standardeve të përgjegjshmërisë në ushtrimin e funksioneve publike.
gijotina.com/










