Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar një episod që sipas tij ka ndodhur pak ditë më parë, duke përfshirë kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, gjatë një vizite zyrtare në Gjermani.
Nga foltorja e organizuar nga PD përpara Kryeministrisë në Tiranë, Berisha deklaroi se Peleshi kishte planifikuar një udhëtim për të takuar homologun e tij gjerman, ku sipas procedurave parlamentare duhet të merrnin pjesë edhe deputetë nga opozita dhe parti të tjera.
Sipas Berishës, situata ndryshoi pasi ai u kishte kërkuar deputetëve demokratë që, në këtë takim, të paraqisnin para autoriteteve gjermane mënyrën se si, sipas tij, drejtohet Parlamenti në Shqipëri.
“Vetëm fakti që unë u kërkova deputetëve tanë të paraqisnin të vërtetën për drejtimin e Parlamentit, bëri që ai të nisej në udhëtim pa asnjë deputet të Partisë Demokratike,” u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së e cilësoi këtë veprim si një përpjekje për të shmangur përballjen me kritikat e opozitës në një forum ndërkombëtar, ndërsa akuzoi drejtuesit e Kuvendit për mungesë transparence dhe përjashtim të opozitës nga përfaqësimi institucional.
gijotina.com/