Milani ka nisur të skicojë lëvizjet për merkaton e verës, me objektivin e qartë për të ndërtuar një skuadër më konkurruese në prag të rikthimit në Champions League.
Prioritetet janë të qarta për drejtuesit e klubit, kryesisht për trajnerin Alegri. Synohen një mesfushor me eksperiencë ndërkombëtare dhe një mbrojtës i gatshëm për nivelin e Serie A, përveç një sulmuesi qendror.
Në mesfushë, emri kryesor është Leon Goretzka. Gjermani i Bajern Mynih, me një karrierë të mbushur me trofe, shihet si profili ideal për të rritur cilësinë dhe personalitetin e ekipit të drejtuar nga Masimiliano Alegri.
Kontrata e tij skadon në verë dhe ai mund të largohet me parametra zero, ndërsa Milani është gati t’i ofrojë një marrëveshje trevjeçare prej rreth 5 milionë eurosh në sezon, plus bonuse. Megjithatë, konkurrenca është e fortë, pasi në garë është edhe Juventus.
Me eksperiencën e tij në Champions dhe profilin fizik, Goretzka konsiderohet një përforcim ideal për mesfushën, ku mund të krijojë një repart shumë konkurrues së bashku me lojtarë si Luka Modriç dhe Adrien Rabiot.
Alternativat ekzistojnë, por objektivi kryesor mbetet gjermani. Në mbrojtje, Milani kërkon të rrisë si numrin, ashtu edhe cilësinë.
Emri më i preferuar është Mario Gila i Lacios, i cili ka bindur drejtuesit dhe stafin teknik me paraqitjet e tij. Spanjolli është i aftë të luajë si në një mbrojtje me tre, ashtu edhe me katër lojtarë, dhe konsiderohet gati për të marrë menjëherë rol protagonisti.
Kontrata e tij me Lacion skadon në vitin 2027 dhe vlera e kartonit llogaritet rreth 20-25 milionë euro, edhe pse interesi nga klube të tjera si Interi mund të rrisë çmimin. Milani synon të lëvizë shpejt për të paraprirë konkurrencën.
Në përfundim, drejtuesit kuqezi po punojnë për të ndërtuar një skuadër më të plotë dhe më cilësore, me objektivin për t’u rikthyer protagonistë si në Itali, ashtu edhe në Europë.
gijotina.com/










