Elbasani dhe Egnatia do të hapin sot siparin e javës së 29-të në Abissnet Superiore, ndeshje e cila pritet të nisë në orën 19:00. E quajtur edhe si përplasja direkte mes vendit të dytë dhe të tretë në renditjen e klasifikimit, skuadra e Ivan Gvozdenovic kërkon konfirmimin e rezultateve pozitive, teksa përballë gjen një skuadër “të plagosur” nga pezullimet.
Në vendimet e fundit të Disiplinës, rrogozhinasit ishin skuadra më e “ndëshkuar”, krahas gjobës së majme. Më konkretisht, trajneri i Egnatias, Edlir Tetova u pezullua me 6 muaj qëndrim jashtë aktiviteteve sportive dhe kapiteni Albano Aleksi me 5 ndeshje.
Një moment delikat që pritet të reflektojë shumë në këtë përballje, pasi, veçse mungesave në stol, rrogozhinasit i duhet të gjejnë alternativa edhe në formacion për të plotësuar boshtin e munguar.
Ndërkohë te vendasit, një mungesë e rëndësishme është ajo e portierit Martin Janacek.










