Pa u bërë 24 orë nga dorëzimi, drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa është liruar, duke shfajësuar veten për dy magazinat me 4 mijë rrënjë kanabis në një nga banesat në pronësi të tij.
Sipas burimeve policore, nga hetimet paraprake ka rezultuar se Hasa nuk ka lidhje me 2 magazinat e kanabisit që u zbuluan në Peqin.
Ndërkohë hetimet do të vijojnë në gjendje të lirë për të, ndërsa në kërkim është shpallur vëllai i tij. Hasa pasi u vetëdorëzua dje në polici, hodhi poshtë pretendimet e ngritura në njoftimin policor, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e paligjshme të zbuluar në godinë. Mësohet se ai ka pohuar se prej disa muajsh nuk kishte shkuar në atë objekt dhe se nuk ka pasur dijeni për atë që mund të ishte ushtruar aty.
Gjatë kontrolleve të ushtruara u zbuluan në bodrumin e një magazine dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin mbjellë rreth 4000 bimë kanabisi.
Po ashtu u sekuestruan llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike, të cilat dyshohet se përdoreshin për mbajtjen në funksion të kësaj veprimtarie të paligjshme. Nga veprimet e para hetimore, Policia bëri me dije se objekti rezulton në pronësi të shtetasit Bilal Hasa, për të cilin fillimisht u shpall kërkimi.
Në kuadër të të njëjtit operacion, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, u shpall në kërkim edhe shtetasi me iniciale E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit. Operacioni “Kurtaj” vijon nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, ndërsa hetuesit po punojnë për të dokumentuar të gjithë skemën dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale çdo person të përfshirë.










