Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj dhe 10 të pandehur të tjerë në lidhje me aferën e inceneratorëve.
Krahas Ahmetajt, për gjykim janë dërguar edhe biznesmenët Mirel Mërtiri, Klodian Zoto si dhe Albina Mançka, Erjola Hoxha, Andi Boni, Elda Dinaj, Gerian Kuka, Helidon Begaj, Sonila Goxhaj dhe Sokol Meqemeja.
Ndaj ish zëvendës kryeministrit Ahmetaj që ndodhet në arrati, SPAK ka ngritur 3 akuza: korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë, mosdeklarim dhe fshehje pasurie dhe pastrim parash. Biznesmenët Mirel Mërtiri (alias Klodian Mërtiri) dhe Klodian Zoto akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë dhe pastrim parash të kryer në bashkëpunim për të paktën 5 episode.
Ish bashkëshortja e Ahmetajt, Albina Mançka akuzohet për mosdeklarim, fshehje, refuzim për deklarim ose deklarim të rremë për të paktën 6 herë, si dhe për pastrim parash, vepër penale e kryer në 5 episode. Bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha akuzohet po ashtu për mosdeklarim, fshehje, refuzim për deklarim ose deklarim të rremë për 4 herë si dhe për pastrim parash e kryer në bashkëpunim.
Ndërsa të tjetët Andi Boni, Elda Dinaj, Gerian Kuka, Helidon Begaj, Sonila Goxhaj dhe Sokol Meqemeja janë akuzuar nga Prokuroria për pastrim parash të kryer në bashkëpunim.
Akuzat ndaj Arben Ahmetajt
SPAK e akuzon Ahmetajn për korrupsion në 5 raste, se ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga dy biznesmenët Klodian Zoto dhe Mikel Mërtiri. Episodi i parë lidhet me shndërrimin e një apartamenti të tij në Airbnb gjatë viteve 2019-2020, ku përmes kompanisë “Integrated Techonogy Services” janë paguar direkt rreth 2 milionë lekë për fatura mallrash dhe shërbimesh që i shërbenin investimit të Ahmetajt dhe partneres Albina Mançkës.
Në episodin e dytë ai ka marrë mbi 170 mijë euro përmes një shitjeje fiktive ku u përfshinë Andi Boni dhe Helidon Begaj. Ngjashëm ka ndodhur edhe në episodin e tretë ku shuma prej 270 mijë eurosh është përfituar sërish nga një shitje fiktive, këtë herë duke përdorur emrin e Besmir Priftit dhe dy të pandehurve Sonila Goxhës dhe Sokol Meqemejas. Episodi i katërt është ai i vilës në Hamallaj me vlerë 230 mijë euro, që është përftuar përmes të pandehurve Gerian Kuka dhe Erjola Hoxha.
Episodi i pestë përfshin mbulimin e shpenzimeve të udhëtimeve për vete dhe familjarët e tij përgjatë pesë viteve ku faturat e hoteleve dhe biletave janë paguar direkt nga biznesmenët Zoto dhe Mërtiri. Vlera e shpenzuar arrin në 31 442 lekë dhe ka të bëjë me udhëtime gjatë 2013 – 2017.








