Një zyrtar i lartë i sigurisë në administratën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka dhënë dorëheqjen të martën për shkak të luftës në Iran. Joe Kent, i cili drejtoi Qendrën Kombëtare Kundër Terrorizmit, është zyrtari i parë i lartë në administratën e Trump që jep dorëheqjen për shkak të konfliktit, i cili tani është në javën e tretë.
Në një letër drejtuar presidentit Donald Trump, të cilën e publikoi në rrjetin social X, Kent deklaroi se Irani nuk përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për SHBA-në.
“Pas shumë reflektimi, kam vendosur të jap dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, me efekt të menjëhershëm”, shkruan ai.
Kent gjithashtu thekson se nuk mund të mbështesë luftën në vazhdim: “Nuk mundem, me ndërgjegje të pastër, të mbështes luftën në Iran. Është e qartë se ky konflikt nisi për shkak të presioneve nga Izraeli dhe lobet e fuqishme të tij në SHBA”.
Ai pretendon se në fillim të administratës, zyrtarë të lartë izraelitë dhe figura me ndikim në mediat amerikane zhvilluan një “fushatë dezinformimi”, e cila, sipas tij, ndikoi në krijimin e një klime pro-luftës.
Sipas Kent, kjo klimë “u përdor për të bindur se Irani përbënte një kërcënim të menjëhershëm dhe se një ndërhyrje ushtarake do të sillte një fitore të shpejtë”, duke e cilësuar këtë si një pretendim të rremë. Ai paralajmëroi se SHBA nuk duhet të përsërisë gabime të së kaluarës, duke iu referuar përvojave të mëparshme ushtarake.

gijotina.com/










